
TIRANË- Të rinjtë janë grupmosha që kanë udhëtuar më shumë brenda dhe jashtë Shqipërisë gjatë vitit 2023. Anketa e Institutit të Statistikave “Pushime dhe udhëtime 2023” zbulon se të rinjtë të cilët përkufizohen në moshën 25-34 vjeç kanë kryer të paktën 30 për qind të udhëtimeve totale. Pavarësisht se pjesa më e madhe e udhëtimeve regjistrohen në rrugë tokësore duket se një rol të ndjeshëm në rritjen e udhëtimeve ka rritja e destinacioneve të fluturimeve dhe kompanive që operojnë përmes politikave “low cost” pra fluturime me kosto të ulët.
Sipas anketës në vitin 2023, numri i udhëtimeve për qëllime personale apo biznesi (brenda apo jashtë Shqipërisë), të kryera nga individët banues në Shqipëri të moshës mbi 15 vjeç ishte 4.399.859. Ky tregues është 17,4 % më i lartë se në vitin 2022. Udhëtimet për qëllime personale përbëjnë 97,5 % të udhëtimeve gjithsej, ndërsa udhëtimet për qëllime biznesi 2,5 % të tyre.
Nëse do të analizojmë disa karakteristika kryesore të udhëtimeve, përqendrimin më të lartë në Shqipëri e shënojnë udhëtimet për qëllime personale (3,4 milion) dhe jashtë vendit ato për qëllime biznesi (0,06 milion).
“Pushime dhe kohë e lirë” përbën qëllimin më kryesor të udhëtimeve të kryera si në Shqipëri (49,4%) ashtu dhe jashtë saj (47,2%). Udhëtimet e kryera jashtë Shqipërisë për qëllime “Vizita te të afërm dhe miq”, kanë shënuar rritjen më të lartë me rreth 5,1 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2022. Në vitin 2023, përqindjet më të larta të udhëtimeve, brenda (22,9%) dhe jashtë Shqipërisë (30,4%), janë kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç. Numri mesatar i netëve të qëndrimit për udhëtime të kryera është 4,14 netë. Vlerat më të larta të shumës së netëve të qëndrimit (në milion) janë regjistruar në muajt Gusht, Korrik, Janar dhe Qershor,”- vlerëson INSTAT.
Lidhur me qëllimin e udhëtimeve anketa sjell në vëmendje vihet re një rritje e dukshme tek udhëtimet për qëllime personale (30,6%) dhe biznesi jashtë Shqipërisë (53,6%). Në 2023, gjithsesi, udhëtimet e kryera brenda dhe jashtë Shqipërisë për “Pushime dhe kohë e lirë” zënë peshën më të madhe, ndjekur nga udhëtimet e kryera jashtë Shqipërisë për qëllime “Vizita te të afërm dhe miq.
Nëse do të analizojmë më në detaj kohëzgjatjen e udhëtimeve sipas qëllimit në Shqipëri dhe jashtë saj, vërejmë se udhëtimet për “Pushime dhe kohë të lirë” kanë kohëzgjatje të shkurtër, brenda dhe jashtë vendit, përkatësisht me (58,3 %) dhe (60,7 %). Udhëtimet për “Vizita te të afërm dhe miq” kanë kohëzgjatje të shkurtër brenda vendit (90,7 %) dhe kohëzgjatje të gjatë jashtë vendit (86,3%). Udhëtimet e kryera për qëllime biznesi kanë kohëzgjatje të shkurtër, në Shqipëri (79,3 %) dhe të gjatë jashtë saj (64,0 %).
“Në vitin 2023, destinacionet më të preferuara për udhëtime për qëllime personale apo biznesi në Shqipëri janë qarqet: Tiranë (18,2 %), Vlorë (14,5 %), Korçë (11,7 %) dhe Durrës (9,7 %). Në udhëtimet e kryera jashtë Shqipërie përqindjet më larta janë regjistruar në: Greqi (7,7 %), Itali (6,3 %) dhe shtete të tjera (Spanjë, Angli, etj.) (2,4 %),”- thuhet në anketë./Monitor