
HUNGARI - Njerëzit që janë të fiksuar pas të famshmëve mund të jenë më pak inteligjentë. Kështu sugjeron një studim i ri.
Studimi, i botuar në revistën hungareze, BMC Psychology, zbuloi një lidhje të drejtpërdrejtë midis adhurimit të të famshmëve dhe performancës më të dobët në testet njohëse.
Hulumtimi u krye duke përdorur një anketë me 1763 të rritur, që përfunduan një sërë detyrash, duke përfshirë një test fjalori me 30 fjalë dhe një test njohurish. Ata gjithashtu plotësuan një pyetësor, për të ditur sesa të interesuar ishin për VIP-at.
Të anketurit do përgjigjeshin, nëse ata ishin të fiksuar pas të famshmëve, duke zgjedhur një alternativë. "Shpesh ndihem i detyruar të mësoj zakonet personale të personazhit tim të preferuar", "Jam i fiksuar pas detajeve të jetës së personazhit tim të preferuar" dhe "nëse do të kisha fatin të takoja personazhin tim të preferuar dhe ai/ajo më pyet për të bërë diçka të paligjshme si nder, ndoshta do ta bëja.”
Studiuesit arritën në përfundimin se ata persona që ishin të interesuar të dinin detaje nga jeta e VIP-ave, në tërësi kishin nivel më të ulët inteligjence. Megjithatë, studiuesit pranuan se nuk mund të thoshin nëse një obsesion për të ditur rreth të famshmëve ishte një shkak apo pasojë e aftësive më të ulëta njohëse.
Edhe më herët janë kryer studime të natyrës së ngjashme dhe rezultatet janë shumë të përafërta. Personat që zakonisht adhurojnë VIP-at, kanë gjasa të kenë njohuri më të ulëta. Kjo, ndoshta edhe për faktin se personat fokusohen më tepër se duhet te një personazh i caktuar. Studiuesit u shprehën se gjetjet kanë sugjeruar diçka të tillë, por se asgjë nuk mund të thuhet me siguri./Zëri.ai/