
SHQIPËRI – Jo vetëm mediat shqiptare, por edhe ato të huaja kanë shkruar për ndarjen nga jeta të golashënuesit më të mirë të Superiores, Raphael Dwamena.
Daily Express shkruan se Dwamena ra papritur në tokë në fushë, duke pësuar atak kardiak. Media britanike nënvizon se futbollisti ka luajtur më parë në La Liga.
“Ish-futbollisti i La Ligës, Raphael Dwamena, ka vdekur në moshën 28-vjeçare pasi pësoi një atak kardiak fatal. Lojtari ganez luante në Superligën Shqiptare për klubin e tij Egnatia, para se të rrëzohej në fushë të shtunën dhe është bërë e ditur se ka ndërruar jetë, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor. Ai luajti në La Liga për Levanten dhe Saragozën”, shkruan media britanike.
Ndërsa, media sportive Sport Brief shkruan se Dwamena u rrëzua në fushë në minutën e 23 të ndeshjes Egnatia-Partizani. Pas kësaj, ai u dërgua në spital, por fatkeqësisht ndërroi jetë. Kjo media kujton se lojtari ka luajtur, duke pasur në zemër një defibrilator, pas problemeve shëndetësore që kishte shfaqur.
“28-vjeçari u rrëzua në minutën e 23-të të ndeshjes Egnatia-Partizani dhe u desh të dërgohej me urgjencë në spital, ku u deklarua i vdekur.
Dwamena ka luajtur me një kardioverter-defribilator të implantueshëm, për shkak të një problemi në zemër.
Ai mund të kishte përfunduar si një lojtar i ekipit të Brighton në Angli, por se nuk kaloi analizat mjekësore, për shkak të problemit në zemër që kishte”, shkruan portali sportiv.

Ndërsa, edhe mediat e vendit të origjinës nuk e kanë harruar Dwamenan. Portalet sportive ganeze shkruajnë për ndarjen nga jeta të futbollistit 28-vjeçar.
Edhe mediat në Ganë përmendin faktin se karriera e lojtarit pati probleme më 2017, kur ai mësoi se kishte probleme me zemrën.
“Ish-sulmuesi i Black Stars vdiq në moshën 28-vjeçare. Ngjarja tragjike ndodhi pasi ai u rrëzua në minutën e 23-të të lojës në ndeshjen Egnatia-Partizani dhe u desh të dërgohej me urgjencë në spital, ku u shpall i vdekur.
Karriera e Dwamena pësoi pengesa të ndryshme, pasi u zbulua për herë të parë se kishte një problem me zemrën në 2017”, shkruan portal ganez.
Sulmuesi i Egnatias, Raphael Dwamena ndërroi jetë sot, më 11 nëntor, pasi pësoi atak kardiak në fushë gjatë zhvillimit të ndeshjes Egnatia-Partizani. Ai ishte golashënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar. /Zëri.ai/