
ANKARA- Rrjeti është “ndezur” në Turqi për shkak të polemikave të fitores së Miss Turqia 2024, nga 24-vjeçarja Idil Bilgen. Sipas njerëzve, ajo nuk ka asnjë lidhje me modelet, pasi pamja e saj ngjason me atë të një burri. Debati që ka nisur në Turqi ka nxjerrë në thelb seksizmin, standardet e bukurisë dhe bullizimin. Personazhet publike janë ndarë në dy grupe, në atë të mbrojtjes së 24-vjeçares dhe në atë të bullizimit ndaj saj. Disa theksojnë se ajo simbolizon bukurinë e brendshme, inteligjencën dhe individualitetin, ndërsa të tjerët shprehen se në të vërtetë ajo simbolizon lekët dhe pozicionin që ka babai i saj, pasi ai është ambasadori turk në Ukrainë.
24-vjeçarja Bilgen, 1.80 m e gjatë dhe është diplomuar në fakultetin e mjekësisë. Menjëherë pas kurorëzimit të saj, shumë në mediat sociale vunë në pikëpyetje përshtatshmërinë e saj si mbretëreshë bukurie dhe menduan se statusi profesional i babait të saj ndikoi në rezultatin, disa madje e krahasuan atë me personazhe nga filmat turq të viteve '70, në të cilat burrat maskohen si gra.
Këngëtarja e njohur turke Aleyna Tilki ishte ndër të parat që shprehu mbështetjen e saj. Tilki kritikoi standardet konvencionale të bukurisë.
“Edhe pse në përgjithësi nuk i mbështes konkurset e bukurisë, i admiroj vërtet gratë që janë të suksesshme, kanë një histori dhe janë unike. Ajo përfaqëson gratë turke me bukurinë e saj cilësore”, tha ajo.
Miss Turqia 2016 Ecem Uzgör, e cila ishte përballur me kritika të ngjashme, shprehu gjithashtu solidaritetin e saj me Bilgen 24-vjeçare.
“Edhe unë mora kritika të forta për pamjen time dhe e mbështes Idilin”, deklaroi ajo.
Megjithatë, jo të gjitha reagimet e të famshmëve ishin mbështetëse. Gjithashtu këngëtarja e famshme transgjinore turke Bülent Ersoy, e cila shpeshherë quhet “Diva” nga fansat e saj, gjatë një interviste tha se ajo duket si një burrë.
“A është kjo bukuroshe? Ajo ka tipare mashkullore. Por të kursejmë fjalët të mos e mërzisim “vajzën””, tha Ersoi.
Ndërsa, 24-vjeçarja mbylli të gjitha komentet në rrjetet e saj sociale. Përsa i përket pamjes së saj ajo tha se vendi po përjeton tragjedi më të mëdha se zgjedhja e Miss Turqia, sidomos dhuna ndaj grave.
“Në një kohë kur vendi ynë po përjeton tragjedi si dhuna ndaj grave dhe fëmijëve njerëzit flasin për fizikun tim, ia atribuoj komentet negative që bëhen për mua për faktin se njerëzit nuk kanë asgjë më të mirë për të bërë. Ata janë njerëz që shprehin mendimin e tyre pa ditur asgjë. Nuk më interesojnë komentet e tyre”, tha Miss Turqia. /ZËRI