
TIRANË – Shqipëria luan sot ndeshjen e fundit kualifikuese përballë Ishujve Faroe në Arena Kombëtare në orën 20:45 minuta. Edhe pse tashmë jemi të kualifikuar në Europianin e Gjermanisë, Kombëtarja do të luajë gjithçka për të marrë kreun e grupit E.
Në të njëjtën kohë, kur luan Shqipëri-Ishujt Faroe, do të jetë edhe sfida tjetër e grupit, ajo mes Republikës Çeke dhe Moldavisë. Finalja e vërtetë këtë herë është ndeshja që luhet në Pragë. Fituesja e sfidës shkon në Euro 2024.
Shqipëria luan për vendin e parë në grup dhe për të arritur këtë objektiv, duhet të fitojë ose barazojë me Ishujt Faroe. Edhe nëse humbasim sot, nëse ruajmë vendin e parë apo jo në grup, varet nga rezultati i ndeshjes mes Çekisë dhe Moldavisë.

Ndërkaq, është paralajmëruar për 6 ndryshime në formacion gjatë ndeshjes së sotme. Në portë, në vend të Berishës, pritet të jetë Thomas Strakosha. Në mbrojtje,, pritet të aktivizohet Balliu në vend të Hysaj. Në mesfushë, pritet të aktivizohet Bare. Ndërsa, në sulm mund të shohim ndryshime domethënëse. Në repartin e sulmit priten të luajnë Uzuni, Muçi dhe Daku.
Ndërsa, sa i përket vazos në short, tashmë është e vulosur. Shqipëria do të jetë në vazon e dytë në shortin për grupet e Europianit. Është e sigurt se në Europian do të kemi në grup një Kombëtare të madhe. Pesë skuadra do të jenë kokë grupi në Euro 2024 dhe do jenë Kombëtaret, që në grupet respektive kanë grumbulluar më tepër pikë. Shqipëria nuk është mirë në këtë aspekt, pasi edhe me fitoren ndaj Ishujve Faroe, do të shkojë maksimumi 17 pikë.
Por, ka Kombëtare të tjera që në grupet e tyre janë në krye dhe kanë më shumë pikë. Spanja ka grumbulluar 21 pikë, Franca 21, Anglia deri tani 19, Turqia 16 pikë, por nuk ka luajtur ende një sfidë, Belgjika 20, Hungaria 18, Danimarka 22, Rumania 19, ndërsa Portugalia ka fituar të gjitha ndeshjet e ka 30 pikë.
Shqipëria luan sot vetëm për të rrëmbyer vendin e parë në grup, pasi çdo gjë tjetër është vendosur. Shorti për përcaktimin e grupeve të Euro 2024 hidhet më 2 dhjetor. Me patjetër do të përballemi me një ekip Big. UEFA organizon ceremoninë në atë datë në orën 18:00 në Hamburg, ku do të mësohet rrugëtimi i secilës skuadrës që është kualifikuar në këtë turne, por dhe atyre që nuk kanë siguruar ende pjesëmarrjen, pasi në mars luajnë në play-off. 3 vende do të lihen bosh, për ekipet që dalin nga play offet.
Tashmë është çdo gjë gati. Jemi në Europian dhe do të përballemi me një skuadër të fortë. Shqipëria ka arritur të përballojë mjaft mirë ekipe si Çekia dhe Polonia, që kanë kualitete të shumta në skuadër. Kështu, që me siguri do jetë e përgatitur edhe për një sfidë me një nga “gjigandët” e Europës!/Zëri.ai/