
TIRANË- Ndeshja e djeshme ndaj Polonisë ishte e dyta me fanellën kuqezi për Mirlind Dakun, të riun nga Gjilani. Por e mjaftueshme për të shkundur rrjetën me golin që i dha fitoren Shqipërisë. Mirëpo sytë e të gjithë shqiptarëve mbetën tek shpina e tij, tek tatuazhi që mbante në shpatull “Katana 138”, pseudonimin e luftës të heroit të kombit, Agim Ramadani.

“Katana” ka qenë pseudonimi i një prej komandantëve më të shquar dhe më aktivë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Ramadani. Ramadani ka qenë edhe komandant i zonës së Kosharës. Më 1 Prill 1999, “Katana” ra dëshmor gjatë një luftimi ballë për ballë me forcat serbe. Ai mori pjesë në Betejën e përgjakshme të Koshares e cila u zhvillua në Prill të vitit 1999.
BETEJA E KOSHARES
Beteja e Koshares njihet edhe si beteja ku u thye kufiri. Në shenjë simbolike, Ushtarët e UÇK-së rrëzuan gurin e kufirit që ndante Kosovën me Shqipërinë. Prandaj edhe në tatuazhin e Dakut është pikturuar edhe një këmbë me një piramidë të rrëzuar të kufirit. Në këtë betejë, ushtria jugosllave e humbi kontrollin e kufirit Kosovë-Shqipëri, e cila ishte një fitore e madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke i detyruar ushtarët serbë të largohen nga kufiri dhe duke e mundësuar kalimin e sigurt të armëve dhe vullnetarëve nga Shqipëria për në Kosovë.
Ramadani ishte komandant i “Brigadës 138” deri në ditën e rënies së tij. Pas përfundimit të luftës ai u shpall Hero i Kosovës. Gjithashtu, katana ka edhe një kuptim tjetër që mesa duket është personifikuesja e karakterit të komandantit legjendar.
*Katana është një shpatë japoneze e karakterizuar nga një teh e lakuar, me një teh të mprehtë, me një roje rrethore ose katrore dhe një dorezë të gjatë për të akomoduar dy duar. Ajo u përdor nga samurai e Japonisë antike dhe feudale.