
ITALI- Në gusht të vitit 2022, një miqësore mes Shqipëri U19 dhe Itali U19, inkuadroi një talent të ri, 18-vjeçar me numrin 7, që luante me shumë virtuozitet pas dy qendrave italiane dhe mbante një mbiemër shqiptar. Ai quhej Luis Hasa dhe ishte lojtar i grupmoshave juventine, me origjinë nga një familje emigrantësh shqiptar në Frozinone.
Luis Hasa, një nga yjet e Kampionatit Europian U21 ku fitoi trofeun me Italinë, u përfol asokohe në media se kishte marrë një ftesë zyrtare nga Federata Shqiptare e Futbollit në maj 2022 për të përfaqësuar Shqipërinë U21, por ai kishte refuzuar dhe pati zgjedhur të luajë për Italinë.
FSHF pati njoftuar atëherë se lojtari kishte qenë vazhdimisht në vëmendjen e stafit teknik dhe pjesë e monitorimit të rrjetit të saj të skautëve, ndërsa theksoi se dera mbetej e hapur për Hasën dhe çdo talent shqiptar që dëshironte të përfaqësonte Shqipërinë, duke respektuar zgjedhjen e tij të asokohshme.
Mirëpo çfarë bëhet sot me talentin Hasa?
Ai është 21-vjeçar dhe stërvitet nga Antonio Konte. Më 30 gusht 2024 Juventus Next Generation e shiti si fillim te Leçja, për 150 mijë euro, ndërsa në dritaren e transferimeve të janarit të këtij sezoni, Leçja e shiti te Napoli për 500 mijë euro. Praktikisht këtë vit Hasa është stërvitur në Serinë “A”, edhe pse koha e aktivizimit të tij ka qenë vetëm 10 minuta lojë nga Leçja në ndeshjen e Kupës të humbur 2-0 me Sasuolon, më 24 shtator 2024. Pozicioni i tij, në dallim nga sulmuesi i fshehur ose mesfushori ofensiv që patëm parë me të rinjtë tani është më i tërhequr, duke u stërvitur ose si parambrojtës ose si mesfushor qendër-organizator. Vijon, megjithatë, të ruajë edhe një prani majtas, si qendër e majtë. Këtë vit, edhe pse i papërdorur në asnjë sekondë zyrtare nga Antonio Konte, nëse Napoli menaxhon mirë ndeshjen e fundit me Kaljarin në "Maradona", Luis Hasa zyrtarisht do të jetë edhe kampion në Itali.
Hasa menaxhohet nga LIAN Sports Group-i, e njëjta kompani që menaxhon të drejtat e Kerkezit, Kulibalisë, Onanës, Milenkoviçit, Kiezës, Darderit dhe Kristian Shpendit./ZËRI