
NAPOLI- Vdekja e ikonës së futbollit Diego Maradona është e lidhur me kokainën, thotë një raport i ri mjekësor. Sulmi fatal në zemër i fituesit të Kupës së Botës në nëntor 2020 ndodhi papritur dhe mund të jetë shkaktuar nga një “substancë toksike”, thuhet në të, raporton The Sun.
Raporti i ri mjekësor hedh dritë të re në çështjen penale kundër tetë mjekëve dhe infermierëve që do të dalin në gjyq për mënyrën sesi ata kujdeseshin për Maradonën në orët e tij të fundit. Ata akuzohen se e kanë lënë 60-vjeçarin në agoni për orë të tëra, pasi gjendja e tij është përkeqësuar. Ndërkohë futbollisti kishte një varësi të gjatë nga kokaina.
Maradona ndërroi jetë në nëntor 2020, ndërsa një raport i autopsisë thoshte se ai vdiq për shkaqe natyrale. Legjenda argjentinase luajti për Barçën në kohën e tij, por ishte te Napoli, ku ai fitoi më shumë tituj e lavdi. Ai gjithashtu është idhull në Argjentinë, pasi e udhëhoqi kombëtaren amerikano-latine drejt fitimit të Kupës së Botës në 1986./ZËRI