
BRITANI- Ka kaluar shumë kohë që kur një telefonatë ishte mjeti kryesor i komunikimit në distancë. Me avancimin e teknologjisë dhe futjen e "pajisjeve inteligjente", opsionet e disponueshme tani janë të pafundme dhe në shumicën e rasteve, të preferueshme.
Sidomos për individët e gjeneratës Z, të cilët janë mësuar të përdorin telefonat inteligjentë për mesazhe me tekst ose zanore, pasi duket se telefonatat i shkaktojnë ankth. Ky fenomen ka një emër dhe quhet "telefobia", i cili përshkruan frikën ose ankthin rreth të kryerit një telefonatë. “Telefobia” filloi të shfaqej edhe më shumë gjatë izolimit dhe pandemisë Covid.
Të rinjtë preferojnë të lënë takime me sms, ose dhe nëse duhet të njoftojnë punëdhënësit e tyre se do të mungojnë, sërish ata zgjedhin të shkruajnë mesazhe në mënyrë që të shmangin telefonatën.
Ankthi i gjeneratës Z për t'iu përgjigjur thirrjeve telefonike buron nga frika nga e panjohura dhe mungesa e përvojës se si të merret me të. Një sondazh i Usëitch me 2,000 të rritur në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2024 zbuloi se pothuajse një e katërta e 18-34-vjeçarëve nuk u përgjigjen kurrë thirrjeve telefonike. Rreth 61% e kësaj grupmoshe preferojnë të marrin mesazhe sesa telefonata. Mbi gjysma e të rinjve të moshës 18-24 vjeç besojnë se një telefonatë e papritur do të thotë lajm i keq, ndërsa 48% preferojnë të komunikojnë përmes rrjeteve sociale dhe mbi një e treta zgjedhin postat zanore.
Gen Z shqetësohet gjithashtu për mënyrën se si tingëllojnë në telefonata, madje mendojnë se po tallen apo gjykohen.
Nëse mendoni se vuani nga telefobia, ekspertët sugjerojnë mënyra të thjeshta për t'u përgatitur për të marrë një telefonatë që prisni. Kini parasysh se aspekti jo vizual i telefonatës mund të funksionojë në favorin tuaj. Ju mund të shkruani një skenar të shkurtër të asaj që do të thoni, i cili do të ndihmojë në minimizimin e ankthit tuaj. Gjithashtu rekomandohet të praktikoni ushtrime të frymëmarrjes për të ngadalësuar rrahjet e zemrës dhe për t'u qetësuar.
Për më tepër, pasi është konstatuar se të rinjtë i lidhin telefonatat me lajme të këqija, seminaret kundër telefobisë mësojnë se ka mundësi të tjera, si p.sh. mundësia që ato të jenë urime për një arritjen tuaj. Në këtë mënyrë ata kuptojnë se, në të vërtetë, përgjigjja e një telefonate nuk është e rrezikshme, ndërkohë që kanë gjithmonë fuqinë e zgjedhjes për të përfunduar telefonatën, në rast se zbulojnë se nuk dëshirojnë të vazhdojnë bisedën./ZËRI