
TORINO – Media italiane RAI Sport shkruan se futbollistët e Italisë, Sandro Tonali dhe Nicolo Zaniolo, shoqëruar nga shefi i delegacionit të Italisë, Gigi Buffon, kanë folur përpara hetuesve, për skandalin e përfshirjes së tyre në baste të paligjshme.
Mesfushori i Juventusit, Nicolò Fagioli është zyrtarisht nën hetim për vendosje bastesh në një faqe të paligjshme, por raportohet se ai nuk është i vetmi lojtar, që ka shkelur rregullat për vendosjen e basteve nga futbollistë profesionistë.
Gazetari Fabrizio Corona pretendon sot se Zaniolo ka vënë baste në ndeshjet e Romës, të luajtura për Kupën e Italisë, ndërsa luante me skuadrën, e Tonali gjithashtu ka vënë baste.
#Tonali e #Zaniolo in lacrime: 'Giocavamo delle partite a poker e a blackjack, mai sul calcio' https://t.co/dbgGDAFdv9
— calciomercato.com (@cmdotcom) October 13, 2023
Të dy janë aktualisht në kampin stërvitor të Coverciano, duke u përgatitur për ndeshjet kualifikuese të Italisë për EURO 2024, kundër Maltës dhe Anglisë.
Gjithashtu, siç u konfirmua nga agjencia e lajmeve ANSA, zyrtarët e policisë ishin në terrenin e stërvitjes Coverciano.
Tonali dhe Zaniolo mësohet se kanë reaguar për akuzat. Ata janë shprehur se nuk kanë luajtur asnjëherë baste në futboll. "Nuk kemi luajtur asnjëherë baste futbolli. Kemi luajtur poker dhe blackjack, por jo bast futbolli", kanë thënë lojtarët e Përfaqësueses italiane.
Dy lojtarët janë larguar nga Seria A, pasi Tonali iu bashkua Newcastle United dhe Zaniolo u transferua nga Galatasaray te Aston Villa.
Futbollistët e akuzuar mund të mungojnë në ndeshjet e Kombëtares. Ndërsa, ata kanë dhënë arsye të tjera për mungesën, mediat shkruajnë se skandali i basteve, ka bërë që Tonali dhe Zaniolo të tërhiqen./Zëri.ai/