
GJERMANI- Disa ditë para ndeshjes me Spanjën, Nedim Bajrami është i qartë në atë që kërkohet në fushën e blertë nga futbollistët kuqezi; të shënojnë! Në një konferencë me mediat e pranishme, Bajrami ka komentuar për ndeshjen, e cila me shumë gjasa do të jetë e fundit për Shqipërinë këtë "Euro2024". Në fjalën e tij, mesfushori u shpreh se është e pritshme që Spanja t'u bëjë presion për të shënuar, duke shtuar se nuk beson që do të ketë "dhurata" prej tyre për t'i dhënë Shqipërisë fitoren. Megjithatë theksin gjithë konferencën e tij për shtyp e vuri tek shpërdorimi i golave që kanë bërë në dy ndeshjet e fundit shokët e tij të skuadrës. Për Bajramin, këto gabime nuk duhet të përsëriten me Spanjën.
PRONONCIMI I PLOTË PARA GAZETARËVE:
- Ndeshja shumë e fortë kundër Spanjës, me sa shpresa shkojmë tek kjo ndeshje?
NB: Spanja është një skuadër favorite për të fituar Europianin. duhet të përgatitemi shumë mirë për atë ndeshje, çunat duhet që të jenë gati. Nuk ka rëndësi kush do luajë, kush futet, duhet të japim maksimumin. Ato raste që t'i kemi, të bëjmë gol.
- Mendon që në këto dy ndeshjet e para kemi patur të mbrohemi apo për të shënuar edhe më tepër gola?
NB: Besoj se me Italinë e patë vetë që e nisëm shumë mirë, por na shënoi dy gola. Edhe me Kroacinë e bëmë ndeshje të fortë. S'ka rëndësi kush do luajë nga Spanja, të gjithë kanë kualitet, ne duhet të fokusohemi tek kualiteti ynë.
-Për shumë specialistë Spanja është kundërshtari më i fortë në grup, sa e vështirëson kjo përballjen?
NB: Për mua është favorite për të fituar europianin. Normale që na duhet një fitore, por ai rast që na vjen në dorë duhet të bëjmë gol sepse nuk do të kemi aq shumë raste sa Spanja. Duhet të jemi më konkret para golit.
- Çfarë solli ndryshimi i pozicionit në ndeshjen me Kroacinë?
NB: Me Italinë luajta si mesfushor, me Kroacinë fola në krah, për mua nuk ka rëndësi, sepse gjithmonë jap maksimumin për skuadrën dhe ekipin.
- Në Shqipëri, themi që dhuratat i pranon edhe mbreti, jeni i përgatitur për një dhurata nga Spanja?
NB: Në futboll nuk ka dhurata.
- Për cilin pozicion po bëheni gati të hënën?
NB: Jam gati për të dyja pozitat. Në fund e vendos trajneri.
-Në ndeshjen me Kroacinë kishim disa kundërsulme, a është reflektuar në këtë pjesë që në ndeshjen me Spanjën që të godasim?
NB: Spanja do na bëjë shumë presion, duhet të jemi më konkret sepse rastet i kemi pasur, duhet t'i bëjmë golat.
- Do e kishe ndryshuar golin më të shpejtë në histori, me një gol në minutën e fundit?
NB: Më mirë e kisha dhënë golin e fundit me Italinë. Nuk e dija që hyra në histori, kështu që jam prapë i lumtur.
-Trajneri i Spanjës tha se do nxjerrë ekipin e dytë ndaj Shqipërisë, si është pritur kjo deklaratë tek ne?
NB: Jemi duke luajtur një europian me skuadra shumë të forta. Të gjithë lojtarët kanë kualitet. Edhe ata që do të luajnë duan të bindin trajnerin për minuta.
-Kaluan 2 ndeshje, është edhe e fundit, çfarë ndryshon në këtë ndeshje nga 2 të parat?
NB: Fazën defenzive e kemi bërë mirë, por në ofensivë duhet të jemi më konkret. Duhet të kërkojmë gjithmonë golin e dytë dhe të tretë. Në ato raste që kemi t'i bëjmë sa më mirë.
- Shqipëria do të mbyllet në portë, apo do të luajë për gol? Çfarë pret nga tifozët?
NB: Do na bëjë shumë presion Spanja, kundërsulm e dimë kualitetin që e kemi. Të gjithë tifozët kuqezi do na suportojnë.
- Ne kemi shënuar gola të rëndësishëm dhe të bukur, por jo spektakolar, është presioni i skuadrave që kemi përballë, apo Europiani?
NB: Presion çunat nuk kanë më se është ndeshja e tretë. Ne nuk jemi Spanja ose Franca që të kemi shumë raste. Si Shqipëri, që i kemi bërë Italisë dhe Kroacisë gola është arritje e madhe.
-Kush është fitorja që të ka mbetur në mendje?
NB: Besoj që të gjithë e dimë në ndeshjen me Serbinë, por nuk dua që të futem më shumë aty. Për mua, ndeshja që kam luajtur edhe vetë është ndeshja me Çekinë./ZËRI