
GJERMANI- “Jemi 90 minuta larg lavdisë”, tha këtë të premte spanjolli Dani Olmo, dy ditë para finales së Euro 2024 kundër Anglisë të dielën në Berlin.
“Ne po mendojmë vetëm për finalen. Jemi 90 minuta larg lavdisë, nga fitimi i një kampionati europian 12 vite më vonë”, tha lojtari i Leipzig.
Me tre gola dhe dy asistime që nga fillimi i turneut, Olmo e sheh golin në finale si “motiv shtesë”:
“Por për sa kohë po fitojmë, nuk më intereson nëse jam unë ai që shënon apo është Unai Simon. (portieri spanjoll)”, shtoi ai teksa barazoi me Harry Kane si golashënuesi më i mirë.
Për ta arritur këtë, 28-vjeçari katalanas nuk beson se duhet të ndryshojë stilin e “La Roja” për ta përshtatur me kundërshtarin:
“Nëse funksionon mirë, pse të ndryshojmë? Jemi mirë dhe po përgatitemi si zakonisht për finalen”, ka theksuar ai.
“Rruga nuk ishte e lehtë, por për të fituar një event të tillë duhet të mundësh më të mirët. Kemi pasur një rrugë të vështirë, por nuk kemi justifikime”.
Anglia, kundërshtarët e tyre të radhës, humbi finalen e 2021 dhe hyn në ndeshjen e së dielës në kërkim të hakmarrjes.
“Anglia kurrë nuk dorëzohet, kjo është e sigurt. Duhet të jemi të përqendruar gjatë gjithë ndeshjes, pavarësisht nëse jemi përpara apo prapa, për 90 apo 120 minuta”, paralajmëroi ai./ZËRI