
TIRANË- Evropa sapo ishte rehatuar, por shpejt kaluan 23 sekonda kur Federico Dimarco bëri një gabin të tmerrshëm në një rivënie në të majtë të Italisë, duke synuar Alessandro Bastonin në zonën e tij. Bastoni qëndroi i ngrirë teksa para tij u shfaq një "flakë e kuqe" shqiptare, i mori topin dhe shënoi gol. Nedim Bajrami ndoshta nuk ishte në mesin e atyre që parashikoheshin të vendosnin rekorde.
“Të shënoja për Shqipërinë në një kampionat europian ka qenë një ëndërr për mua që kur isha fëmijë. Kam punuar shumë për këtë ëndërr”, tha Bajrami pas ndeshjes.
Dhe vërtetë, ai nuk bën shaka. Bajrami është një nga 19 lojtarët në skuadrën e Shqipërisë në Euro 2024 që kanë lindur jashtë vendit, por pak prej tyre kanë kaluar një proces të mundimshëm për t'u bërë pjesë e kombëtares. Madje iu desh që të shkonte në gjykatë për t'ju lejuar për të luajtur për vendin e tij.
Bajrami u lind dhe u rrit në Zvicër - në Cyrih nga prindër shqiptarë. Ai iu bashkua skuadrës Grasshoppers dhe kështu ngjiti shkallët e karrierës duke debutuar edhe me moshat e Zvicrës. Por edhe pse luante për Zvicrën, gjithmonë kishte diçka që e tërhiqte Bajramin në një drejtim tjetër. Gjithçka filloi kur Edy Reja, italiani që drejtoi kombëtaren shqiptare nga viti 2019 deri në vitin 2022, iu afrua Bajramit në vitin 2021.
“Ne u përpoqëm ta bindim Bajramin që të vazhdonte të luante për Zvicrën. Por ai na tha se zemra i rreh për Shqipërinë. Për ne në ekipin kombëtar, identifikimi është një nga vlerat kryesore, ndaj nuk na mbeti gjë tjetër veçse ta linim të largohej,” tha Mauro Lustrinelli, në atë kohë trajner i Zvicrës U-21.
Ilir Meta, asokohe president i Shqipërisë, i dha Bajramit pasaportën shqiptare, duke i hapur rrugën drejt kombëtares. Por edhe një dekret presidencial nuk ishte i mjaftueshëm për të bindur FIFA-n. Pavarësisht rregullave rreth lojtarëve që donin të ndërronin kombëtaren, problemi i Bajramit ishte se ai nuk kishte shtetësi të dyfishtë në kohën kur luante për ekipet e të rinjve zvicerane. sipas FIFA-s, ai duhej të kishte pasaportë shqiptare që në moshë të vogël, ndaj e refuzuan kërkesën e tij edhe për shkak se ai kishte luajtur katër herë për ekipin U-21 të Zvicrës pasi mbushi 21 vjeç.
Kështu lojtari e dërgoi çështjen e tij në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv dhe CAS ra dakord: ata vendosën në favor të Bajramit dhe Shqipërisë më 30 gusht 2021. Reja nuk humbi shumë kohë për të thirrur rekrutin e tij të ri, ndaj Bajrami bëri debutimin e tij në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës kundër Hungarisë një javë më vonë.
“Vendosa të luaj për Shqipërinë pasi dëgjova zemrën time”, tha Bajrami pas marrjes së vendimit. Fakti që Bajrami shënoi një gol kaq të spikatur dhe, në të vërtetë, historik, ndoshta nuk është një surprizë e madhe. Edhe kritikët e tij më të rreptë bien dakord se ai është një lojtar i qëndrueshëm dhe i pret rastet e mëdha. Ai shënoi një gol të ngjashëm kundër Republikës Çeke në fazën kualifikuese. Ky ishte goli i barazimit në barazimin 1-1 dhe ndihmoi Shqipërinë të siguronte vendin e parë në grupin e kualifikimit./ZËRI
Marrë nga NYT