
ITALI- Fedez ngre alarmin për mungesën e ilaçeve të pankreasit, me të cilën përballen qindra pacientë, përfshirë edhe vetë reperin, që i është nënshtruar dy ndërhyrjeve kirurgjikale.
Në një postim në rrjetet sociale, Fedez shkruan se kjo është një emergjencë e cila zgjat prej disa muajsh, por që është intensifikuar javët e fundit. Reperi, i cili iu nënshtrua një operacioni për kancerin e pankreasit në mars të vitit 2022, ndërsa në postimin e tij thotë se shumë persona që kanë pasur të njëjtin problem me të, po përballen me mungesën e ilaçeve.
“Po marr shumë emaile për një problem që e kam hasur edhe unë. Pas operacionit në pankreas, duhet të marr enzima në mënyrë që të asimiloj ushqimin. Duket se është vetëm një kompani që i prodhon dhe prej një muaji ky medikament mungon në treg. Për këtë situatë kam njoftuar dhe Ministrinë e Shëndetësisë e cila deklaroi se po e ndjek çështjen “me vëmendje të madhe dhe po zbaton të gjitha aktivitetet përkatëse që synojnë garantimin e vazhdimësisë terapeutike të pacientëve””, shkruan Fedez në postimin e tij, ndërsa vijon:
"Kisha një rezervë të vogël enzimash pankreatike mënjanë, por po më mbarojnë dhe nuk po i gjej. Si mund të zgjidhet kjo? Pa to nuk mund të hamë, nuk asimilojmë asgjë dhe kur shkojmë në tualet, nuk është qesharake”, shton Fedez i cili më pas publikon një sërë mesazhesh në të cilat përdorues të ndryshëm i tregojnë se po përballen me të njëjtat probleme. “Duket se çështja është më e madhe nga sa dukej në fillim dhe se në veri të Italisë nuk ka medikamente. Na dërgoni emailet që të kontaktojmë me AIFA-n”, përfundon ai, duke etiketuar Ministrinë e Shëndetësisë në postimin e tij.
Ndërkohë që nuk vonoi as reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë, që pranoi se ishte në dijeni të mungesës së menzimave pankreatike, saktësohet se çështja ka të bëjë konkretisht me ilaçin Creon. “Kjo është një situatë e njohur dhe e pavarur nga aktivitetet rregullatore të Aifa-s, e cila tashmë ka kohë që pacientëve dhe punonjësve të kujdesit shëndetësor i ka dhënë informacion adekuat operacional”, thuhet fillimisht në reagimin e Ministrisë, ndërsa vijon: “Deri më sot, kompania e vetme prodhuese (Viatris Italia Srl) ka komunikuar pamundësinë e plotësimit të kërkesës për shkak se është shumë e lartë. Megjithatë, siç është komunikuar tashmë nga Aifa përmes procedurave që përdoren zakonisht në rast të mungesës së barnave, Agjencia lejon që institucionet shëndetësore të importojnë barna të ngjashme të autorizuara jashtë vendit, në rast se vetë objektet hasin ndërprerje në furnizim”.
Ministria e Shëndetësisë përfundon duke bërë të ditur se “e ndjek çështjen, si dhe të gjitha ato që kanë të bëjnë me rastet e mungesës së barnave, me vëmendje të madhe dhe zbaton të gjitha aktivitetet përkatëse që synojnë garantimin e vazhdimësisë terapeutike për pacientët”./ZËRI