
SHBA- Njerëzit e lindur në vitet 1990 kanë shëndetin mendor më të keq të çdo brezi para tyre. Më e keqja është se 'millenials' nuk po rikuperohen me kalimin e kohës. Studiuesit në Universitetin e Sidneit zbuluan se ka pasur një përkeqësim të dukshëm në mirëqenien mendore të çdo brezi të njëpasnjëshëm që nga vitet 1950. Rezultatet tregojnë se sfidat e shëndetit mendor jo vetëm që prekin gjeneratat e reja më seriozisht, por po ndikojnë çdo brez që po shkon drejt pleqërisë.
“Pjesa më e madhe e fokusit deri më sot ka qenë në rënien e shëndetit mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve. Por ky studim tregon se ky model po ndryshon dhe se nuk janë vetëm fëmijët për të cilët duhet të shqetësohemi,”- tha në një deklaratë autori kryesor Dr. Richard Morris, studiues i lartë në Fakultetin e Mjekësisë dhe Shëndetit të Universitetit të Sidneit.
Studimi u nis në një përpjekje për të zbuluar misterin se pse shëndeti mendor i australianëve ka qenë në rënie që nga viti 2010. Sipas NYPost, ata dolën në përfundimin se përse shëndeti mendor i njerëzve të lindur në vitet 1990 nuk po përmirësohet me kalimin e moshës, ndryshe nga brezat e vjetër.
“Tendencat e nivelit të popullsisë në shëndetin mendor kanë qenë në rënie në vendet e zhvilluara për shumë vite, veçanërisht në mesin e të rinjve,”-thuhet në studim. Studiuesit vunë në dukje mediat sociale si një shtytës kryesor për përkeqësimin e shëndetit mendor të vendit. Ndryshimi i klimës mund të luajë një rol të madh në zbehjen e shpresave të brezave të rinj, por përmendin edhe mungesën e përgjithshme të aktivitetit fizik, gjumin e dobët dhe ndryshimin e natyrës së punës.
Edhe pse nuk është e qartë se si do të vazhdojnë tendencat ndërsa Gen Z dhe Gen Alpha rriten, studiuesit në Universitetin e Sidneit nuk janë optimistë.
“Ka prova të rëndësishme se rënia e shëndetit mendor midis të rinjve nuk mund të pritet të shërohet spontanisht ose të zhduket,”-thanë ata në një deklaratë.
Ekipi hulumtues shpreson të përdorë të dhënat si një pikë nisjeje për të identifikuar më mirë shkaqet që i bëjnë të rinjtë e tij të vuajnë mendërisht./ZËRI