
SHBA- Hailey Bieber ka folur publikisht për herë të parë rreth përvojës së rrezikshme të lindjes së djalit të saj dhe ndërlikimeve që pasuan, duke zbuluar se si ndihej se jeta e saj ishte në rrezik. Në intervistën e saj për “Vogue”, me rastin e kopertinës së publikuar më 20 maj, gruaja e këngëtarit Justin Bieber e përshkroi lindjen e fëmijës së saj Jack, në gusht 2024, si gjënë më të vështirë që ka bërë ndonjëherë.
Edhe pse e kishte përgatitur trupin e saj intensivisht për nëntë muaj me ushtrime, yoga, stërvitje dhe akupunkturë, gjërat nuk shkuan mirë për të. Në javën e 39-të, ajo filloi të humbiste lëng amniotik dhe kishte nevojë për stimulim të shtatzënisë.
"Ishte çmenduri. Nuk ishte aspak argëtuese. Më plasën ujrat. Më filluan lindjet dhe linda pas disa orësh. As epidural, asgjë,"- tha ajo për lindje që zgjati 18-orë. Megjithatë, situata u përkeqësua pas lindjes së vogëlushit Jack, kur mjekët nuk arritën ta ndalonin gjakderdhjen e saj. Bieber e përshkroi përvojën e saj me hemorragjinë pas lindjes si të tmerrshme – një ndërlikim që, sipas Klinikës Mayo, mund të shkaktojë probleme serioze ose edhe vdekjen.
Edhe pse ndihej e sigurt me mjekun e saj, shqetësimet e saj u shtuan kur stafi mjekësor provoi metoda të ndryshme për të ndaluar gjakderdhjen - pa sukses.
"Fillova të frikësohem pak. Kisha ndjesinë se mjeku im nuk do të lejonte kurrë që të më ndodhte diçka. Por po humbisja shumë gjak dhe një mendim të kalon nëpër mendje: që njerëzit vdesin kur humbet gjak!"
Më në fund, ajo iu nënshtrua një trajtimi të dhimbshëm, i cili shkakton kontraksione të mitrës për orë të tëra.
Trajtimi rezultoi efektiv dhe, siç tha Hailey Bieber, ajo ndjeu nevojën për të ndarë përvojën e saj për të theksuar se jo të gjitha lindjet janë të thjeshta ose romantike. Pavarësisht përvojës traumatike, ajo tha se ishte e hapur për idenë e të pasurit më shumë fëmijë me Justin Bieber./ZËRI