
TIRANË-Sot pritej të zhvillohej një protestë në lidhje me arrestimin e Noizyt. Ditën e djeshme u paralajmërua një tubim para Ministrisë së Drejtësisë në orën 19:00, ku kërkohej që të ndalohet ekstradimi i Noizyt drejt Kosovës. Por si duket protesta është anuluar. Përmes një deklarate zyrtare ekipi menaxherial dhe familja e Noizyt ka njoftuar sot se ata nuk kanë ndërmarrë organizimin e asnjë proteste. Më tej, në njoftimin zyrtar thuhet se janë në një proces gjyqësor dhe do ndjekin vetëm rrugën ligjore për zbardhjen e së vërtetës. Familjarët ndër të tjera falenderojnë fansat për mbështetjen ndaj tij.
"Dje nëpërmjet mediave u informuam se do të organizohej sot një protestë përpara Ministrisë së Drejtësisë për lirimin e Rigelsit (Noizyt). Duam të informojmë fansat e Noizyt, publikun e gjerë dhe mediat, se as familja e Noizyt, as stafi menaxherial nuk kanë ndërmarrë organizimin e asnjë proteste. Ne, jemi në një proces gjyqsor dhe do ndjekim vetëm rrugën ligjore për zbardhjen e të vërtetës dhe pastrimin e baltës mbi emrin e Noizyt Duam të falenderojmë përzemërsisht fansat dhe kolegët e Noizyt për mbështetjen ndaj tij në këtë situatë absurde padrejtësie. Punë të mbarë të gjithë atyre që po punojnë drejt së vërtetës. Stafi menaxherial,"-thuhet në deklaratë.

Nga ana tjetët këngëtarët dhe miqtë e reperit vijojnë kauzën për lirimin e reperit. Një prej tyre është edhe Xhensila Myrtezaj. Në një koncert të zhvilluar së fundmi, artistja bëri thirrje duke thënë “Free Noizy”, teksa më pas këndoi dhe këngën që ka bërë me reperin.
Ministrja Albulena Haxhiu ka firmosur kërkesat e ekstradimit për shtetasit Rigels Rajku (Noizy), Bahtjar Bajraktari (DJ Crax) dhe Arkimed Lushaj (Stresi), të cilat i janë përcjell Ministrisë së Drejtësisë në Tiranë, si autoritetet përgjegjës për ekstradimet. Ministrja Albulena Haxhiu i ka kërkuar zyrtarisht homologut Ulsi Manja arrestimin e përkohshëm të tre shtetasve të mësipërm, me qëllim ekstradimin e tyre më pas në Kosovë, për t'u përballur me akuzat për rrahjen barbare të boksierit Med Iseni dhe kunatit të tij.
Noizy dhe miku i tij Bahtjar Bajraktari (DJCRAX) akuzohen se disa ditë më parë, janë përfshirë në një sherr masiv, ku dyshohet se dhunuan Medi Isenin. Ky i fundit pretendon se “u pre në besë” nga reperi tjetër shqiptar, Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit si Stresi, i cili dyshohet se e kishte ftuar për ta takuar, por ndërkohë ishte një “kurth”, për ta vendosur në të njëjtin ambient me Noizyn dhe grupin e tij. Vetë Stresi i ka mohuar akuzat. Edhe Noizy në një reagim para arrestimit, u shpreh se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe i është bërë padrejtësi. Prokuroria e Pejës po heton çështjen. Stresi është shpallur në kërkim./ZËRI