
GJERMANI- Thomas Muller nuk do të luajë më për "Die Mannschaft". Lajmi është konfirmuar për gazetën e njohur gjermane “Bild”. Në faqen e parë gazeta gjermane prezanton informacionin se sulmuesi 34-vjeçar i Bayernit ka vendosur përfundimisht që karrierën e tij ndërkombëtare ta mbyllë në të njëjtën kohë me Toni Kroos.
Paraqitja e tij e 131-të dhe e fundit me kombëtaren ishte ajo me Spanjën, ndeshje të cilën Gjermania e humbi me rezultatin 1-2. Por megjithatë lajmi nuk ishte surprizë pasi Müller e kishte paralajmëruar.
“Realisht, ka mundësi që kjo të jetë ndeshja ime e fundit ndërkombëtare. Pas UEFA EURO, do të ulem me trajnerin Julian Nagelsmann, me të cilin kam një marrëdhënie konfidenciale dhe do të marr një vendim. Por siç thashë, realisht unë e kam mbyllur,”- tha Muller.
Ai shënoi 45 gola në 131 ndeshje për Gjermaninë, kombëtare me të cilën fitoi Kupën e Botës në 2014, por kurrë një kampionat europian./ZËRI