
EGJIPT- Futbollisti egjiptian Ahmed Refaat, sulmues i ekipit "Modern Future FC "të divizionit të parë të Egjiptit është shembur në tokë pasi pësoi atak kardiak gjatë mbrëmjes së djeshme. Refaat u rrëzua në minutën e 88-të të ndeshjes mes Modern Future dhe Al Ittihad të Aleksandrisë, ndeshje në të cilën kishte hyrë në minutën e 60-të për të zëvendësuar shokun e tij të skuadrës, Ali Zaazaa.
PAMJE NGA MOMENTI:
Gjyqtari ndërpreu lojën dhe sulmuesi 30-vjeçar u dërgua me urgjencë në spitalin Zemzem, pranë stadiumit, ku më në fund u ringjall pas përpjekjeve të shumta të dështuara në fushën e blertë.
“Pas përpjekjeve intensive të mjekëve, lojtari filloi të rifitonte gradualisht vetëdijen, pasi zemra e tij ndaloi për një periudhë prej rreth një ore e gjysmë,”-raportojnë mediat e huaja.
Megjithatë, sipas klubit, gjendja e futbollistit mbetet e paqëndrueshme nga pikëpamja mjekësore, ndaj nuk është e mundur transferimi i tij në një qendër tjetër mjekësore derisa gjendja e tij të përmirësohet dhe t’i nënshtrohet trajtimit të nevojshëm. Gazeta lokale Youm7 njoftoi se ylli egjiptian i futbollit duhet t'i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore të specializuara në zemër, në mënyrë që të identifikohet shkaku i arrestit kardiak./ZËRI