
SPANJË-Influencuesja e krijuar nga Inteligjenca Artificiale do të prezantojë “Ishullin e të Famshëve” në Spanjë. Alba Renai nuk ekziston! Ajo është një influencuese virtuale, por kjo nuk e ka ndaluar që të nisë karrierën e saj në televizion. Alba do të prezantojë “Supervivientes”, versioni spanjoll i “Ishullit të njerëzve të famshëm”. Reality show do të transmetohet në TeleCinco, një televizion i menaxhuar nga Mediaset España, shkruajnë mediat e huaja.
Nga ana e tyre, në një deklaratë zyrtare në faqen e emisionit televiziv, përgjegjësit e tij komentuan se 'Alba Renai bëhet në këtë mënyrë influencuesja e parë virtuale e trajnuar nga inteligjenca artificiale që do të prezantojë një hapësirë të lidhur me një format të madh televiziv në vendin tonë. Kjo përfaqëson një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin inovativ mes argëtimit tradicional dhe formave të reja të komunikimit dixhital me inteligjencën artificiale në qendër të syrit."
Kush është Alba Renai
Alba Renai debutoi në Instagram në vjeshtën e vitit 2023 me disa fotografi jo shumë realiste dhe, për rrjedhojë, lehtësisht të dallueshme, megjithëse cilësia e imazheve të krijuara nga AI është përmirësuar shumë kohët e fundit. Ajo e përshkruan veten si një udhëtare e vërtetë, jeton në Madrid dhe profili i saj përmban përmbajtje që variojnë nga sportet e deri te ngjarjet sociale, nga qyteti në det dhe male, dhe gjithashtu nuk mungojnë postimet e sponsorizuara për të promovuar produkte të ndryshme./ZËRI