
SHBA- Padia e Cassie kundër Diddy, të cilin ajo e akuzoi për përdhunim, u rrëzua zyrtarisht. Sipas dokumenteve ligjore të publikuara nga TMZ, çështja u zgjidh të hënën, më 20 nëntor, në Nju Jork. Dokumentet i referohen një marrëveshjeje mes të dyve, në të cilën padia e Cassie-t rrëzohet.
Sean Combs, i njohur më mirë me emrin e tij të skenës Diddy, është parë për herë të parë që nga zgjidhja e padisë. Reperi 54-vjeçar dukej i zymtë dhe mbante kokën me duar jashtë rezidencës së tij në Star Island në Miami, Florida. Atij iu bashkua një grua - që besohet të jetë Kristina Khorram - e cila e ngushëlloi atë ndërsa të dy ishin ulur në një divan.
Këngëtarja R&B, Cassie ngriti padi kundër Diddy duke akuzuar reperin për përdhunim. Por vetëm një ditë më vonë, të premten e 17 nëntorit, të dy lëshuan deklarata ku njoftuan se kishin arritur një marrëveshje. Nuk u zbuluan detaje specifike në lidhje me kushtet e marrëveshjes.
Lidhur me zgjidhjen, Cassie tha të premten: Kam vendosur ta zgjidh këtë çështje me kushtet që kam një nivel kontrolli. Dua të falënderoj familjen time, fansat dhe avokatët e mi për mbështetjen e palëkundur.
Ndërsa Diddy nga ana e tij deklaroi: Ne kemi vendosur ta zgjidhim këtë çështje në mënyrë miqësore. I uroj Cassie dhe familjes së saj më të mirat. Me dashuri.
Avokati i Diddy theksoi gjithashtu se marrëveshja ishte arritur, por kjo nuk do të thoshte se klienti i tij po pranonte krimet e pretenduara.
Cassie, emri i vërtetë i së cilës është Casandra Ventura, ishte në lidhje me Diddy-n për më shumë se një dekadë. Ajo pretendon se gjatë marrëdhënies së tyre, ai e sulmoi disa herë - duke e rrahur dhe përdhunuar egërsisht - dhe kontrolloi çdo aspekt të jetës së saj. Ajo u përball me "një cikël abuzimi, dhune dhe trafikimi seksual" derisa marrëdhënia e tyre përfundoi në vitin 2018. Për shkak të statusit të tij si themelues i Bad Boy Records, pretendon padia, Cassie mendoi se nuk mund të refuzonte kërkesat - ose ofertat për drogë - pa rrezikuar karrierën e saj. Ajo pretendon se ai e joshi atë me apartamente, veshje dhe e futi në rrugën e drogës, një mënyrë për ta mbajtur “të kënaqur dhe të bindur”. Ai u bë kontrollues dhe abuziv, sipas padisë, duke e goditur shpesh me grusht, shkelma dhe këmbë. Ai dyshohet se e detyroi Cassie-n të mbante armët e tij në çantë në të paktën dy raste. Madje pretendon se e ka detyruar që të kryente marrëdhënie me shokët e tij, teksa ai vetë i filmonte./Zëri.ai