
URUGUAI- Sulmuesi Luis Suarez ka njoftuar tërheqjen e tij nga futbolli ndërkombëtar, duke i dhënë fund karrierës me kombëtaren e Uruguait. Ndeshja kualifikuese e uruguaianit për Kupën e Botës në shtëpi kundër Paraguait (7 shtator) do të jetë paraqitja e tij e fundit për kombëtaren.
“Do të jetë ndeshja ime e fundit me kombëtaren. Është e vështirë për mua ta them por më jep qetësi që deri në ndeshjen e fundit kam dhënë gjithçka”, ka thënë Suarez në njoftimin e tij, ndërkohë që është shfaqur i prekur.
Ish-ylli i Liverpulit dhe Barcelonës, që tani luan për Inter Miamin në MLS, është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave të Uruguait, me 69 gola në 142 ndeshje të luajtura në 17 vjet. Suarez bëri debutimin e tij për ekipin kombëtar më 8 shkurt 2007 në një fitore 3–1 kundër Kolumbisë. Me kombëtaren mori pjesë në katër edicione të Kupës së Botës.
Krahas arritjeve mbresëlënëse, karriera e Suarez nuk ka qenë pa polemika. Ai u përfshi në incidente famëkeqe si përjashtimi nga Kupa e Botës në vitin 2014 për kafshimin e një kundërshtari dhe lojën e tij me dorë në vijën e portës gjatë ndeshjes çerekfinales të Kupës së Botës në vitin 2010 kundër Ganës. Karriera e tij në futbollin e klubeve gjithashtu është shoqëruar polemika, duke përfshirë një pezullim për abuzim të dyshuar racor.