Qytetërim

MBRËMJA GALA/ FSHF ndan çmimet për më të mirët, Infantino mesazh përshëndetës

FSHF ka ndarë çmimet për futbollistët më të mirë për vitin 2023. U përzgjodh fituesi i 'Topit të artë 2023', 'Këpucës së artë 2023', por edhe çmime të tjera.

D.XH
MBRËMJA GALA/ FSHF ndan çmimet për më të mirët,
Arinaldo Rrapaj

TIRANË – Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka shpërndarë çmimet prestigjoze për futbollistët më të mirë në skuadrat shqiptare gjatë vitit 2023.

Çmimet

Futbollisti i Partizanit, Arinaldo Rrapaj ka fituar çmimin “Topi i artë 2023”. Ndërsa, “Këpuca e artë 2023” për djemtë i është dhënë sulmuesit Florent Hasani, që e mbylli sezonin e kaluar duke shënuar 16 gola për Tiranën, duke siguruar kësisoj çmimin e golashënuesit më të mirë.

Arlind Kurti, futbollist i skuadrës së Laçit, u shpall fitues i çmimit “Talenti i vitit 2023 për djem”. 18-vjeçari, që luan si mbrojtës, ishte një nga zbulimet e sezonit,  duke dhënë kontribut të çmuar tek Laçi, por edhe tek Kombëtarja U-19, ku është kapiten ekipi.

Çmimin trajneri i vitit 2023 e fitoi Orges Shehi.

Arbitri i vitit u përzgjodh Enea Jorgji.

Përbërja e formacionit më të mirë ishte: Alen Sherri (portier), Andi Hadroj (mbrojtës), Renato Malota (mbrojtës), Filip Najdovski (mbrojtës), Florjan Përgjoni (mbrojtës), Arinaldo Rrapaj (mesfushor), Albano Aleksi (mesfushor), Fernando Medeiros (mesfushor), Tedi Cara (sulmues), Raphael Dëamena (sulmues), Florent Hasani (sulmues).

Të gjithë ishin protagonistë në klubet e tyre, duke bërë që skuadrat, ku ata kanë luajtur, të korrin suksese. Afrim Tole dhe Armend Dallku kanë ftuar lojtarët e formacionit më të mirë për t’u ngjitur në skenë e për të tërhequr çmimet.

Rama dhe Hysaj, batuta për pasaportat diplomatike

Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm sot në mbrëmjen gala “Më të mirët e 2023” të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Ai ka ftuar që të ngjitet në skenë Elseid Hysajn, teksa i ka dorëzuar atij sërish pasaportat diplomatike për të gjithë Kombëtaren. Rama dhe Hysaj shkëmbyen edhe batuta.

MBRËMJA GALA/ FSHF ndan çmimet për më të mirët,
Rama dhe Hysaj

Edi Rama: Dëshiroj që të ftoj në skenë kapitenin e skuadrës sonë, njëfarë Hysaj. Kur skuadra jonë kombëtare u kualifikua në Europianin e 8 viteve më parë, ne u dhamë të gjithë sportistëve e trajnerëve pasaportën diplomatike. Por nuk u kualifikuam pas 4 viteve dhe pasaportave diplomatike iu dogj afati. Tani është koha për ta ridhënë pasaportën diplomatike me afat dhe nga kjo do të përfitojnë shumë nga lojtarët që e kanë për herë të parë, si ambasadorë të shtetit shqiptar. Ambasadorë të denjë për të cilët jemi krenarë dhe thirra kapitenin sepse ishte mosbesues deri në fund që do merrte pasaportën sot. Do ta mësojë dhe ky se unë e mbaj fjalën. Kjo është pasaporta. Këtu ke edhe pasaportat e tjera për skuadrën. T’i marrë presidenti që të jenë në duar të sigurta.

Hysaj: Ta kontrolloj njëherë se nuk i dihet. Lexon Hysaj, Elseid. Shumë faleminderit. Mund ta humbasim prapë siç e humbëm tjetrën. Dua të falënderoj presidentin për ftesën, që munda të jem në këtë mbrëmje. Dua të falënderoj edhe kryeministrin për mbajtjen e fjalës. Nuk është vetëm kjo, mund të kemi surpriza edhe në Gjermani. Për mua është kënaqësi kualifikimi në Gjermani, akoma më bukur është grupi i lehtë që na ka rënë. Por kam besim se do ia dalim mbarë.

Rama: E sheh një zotëri aty me këmishë të bardhë me papion të zi, ai që po ta bën me dorë? Për pasaportë gjermane apliko te ambasada gjermane.

MBRËMJA GALA/ FSHF ndan çmimet për më të mirët,
Rama dhe Begaj

Rama dhe Begaj i dorëzojnë Sylvinhos shtetësinë shqiptare

Kryeministri Edi Rama, që ka qenë i pranishëm në Mbrëmjen gala të FSHF-së ka falëneruar Kombëtaren e Shqipërisë për paraqitjet e suksesshme në kualifikueset e Europianit të Gjermanisë. Mes tjerash, Rama dhe Begaj i kanë dorëzuar trajnerit Sylvinho edhe shtetësinë shqiptare. “Ndjej nevojën për të falënderuar me gjithë zemër të gjithë ata që e mundësuan klëtë sukses të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, përgëzimin dua ta filloj nga pak më larg, nga Gianni De Biassi. I cili është njeriu që na tregoi se kjo nuk është një ëndërr e pamundur. Dua ta vazhdoj me Edi Rejan. Të ndaloj një sekondë këtu, me Sylvinhon: E njeh presidentin e Shqipërisë? Presidentin tonë, jo të Brazilit, duhet të vish sepse do të ta prezantoj.  Atëherë siç premtuam, sot duam të gjithë së bashku të të japim shtetësinë shqiptare”- u shpreh Rama.

Infantino: Do të dëshiroja ta shikoja Shqipërinë në Botëror

Presidenti i FIFA-s Gianni Infantino ka dërguar një mesazh përshëndetje për mbrëmjen gala “Më të mirët 2023”, organizuar nga FSHF. Kreu i organizatës botërore të futbollit renditi një sërë arritjesh të Kombëtares së Shqipërisë, duke u shprehur se dëshiron ta shikojë Shqipërinë në Botëror.

MBRËMJA GALA/ FSHF ndan çmimet për më të mirët,
Infantino

Mesazhi i kreut të FIFA-s Gianni Infantino:

I dashur President Duka, i dashur Armand,

Të dashur kolegë në Federatën Shqiptare të Futbollit,

Në një mbrëmje të tillë si kjo që po shijoni sonte, ne festojmë momentet më të mira të futbollit shqiptar dhe vendi juaj sigurisht që ka shumë për t’ju ndjerë krenar, pas një viti 2023 fantastik.

Në vitin 2022, ne festuam 90-vjetorin e anëtarësimit të Federatës Shqiptare të Futbollit në FIFA dhe ju mirëpritët finalen e një kompeticioni evropian për klube në kryeqytetin tuaj të bukur. Këtë vit ju keni siguruar pjesëmarrjen tuaj në finalet e EURO 2024 – duke u renditur për herë të parë në krye të grupit tuaj kualifikues.

Epo, unë vetëm mund t’ju përgëzoj të gjithëve, Presidentin Duka, trajnerin e Kombëtares Sylvinho, të gjithë lojtarët dhe stafin që e kanë bërë të mundur këtë arritje. Jam i sigurt që verën e ardhshme do ta bëni krenar vendin tuaj në Gjermani. Sigurisht, me Kupën e Botës FIFA për femra, ishte gjithashtu një vit i madh për FIFA-n dhe për futbollin e femrave.

Ishte një turne transformues, Kupa e Botës më e mirë e FIFA-s për femra deri më sot, dhe jam i kënaqur të shoh që Federata Shqiptare e Futbollit po fokusohet gjithashtu në përfshirjen e sa më shumë vajzave dhe grave në futboll dhe ne po shohim progres pozitiv gradual në renditjen botërore në këtë aspekt.

E kam mirëpritur me entuziazëm strategjinë e futbollit të vajzave “Rising Stars”, që ju prezantuat kohët e fundit dhe dua t’ju inkurajoj që të ndiqni synimet tuaja – imagjinoni sa fantastike do të ishte të shikonim Kombëtaren e Shqipërisë në Kupën e Botës FIFA me 48 ekipe në 2026-n dhe Kombëtaren e vajzave në Kupën e Botës FIFA për femra një vit më pas!

Jo vetëm kaq, por me më shumë mundësi të krijuara në nivelet e moshave falë turneve të përvitshëm të FIFA-s me një pjesëmarrje gjithnjë e më të gjerë, pres me padurim të shoh ekipet shqiptare të moshave për vajza dhe djem të bëjnë progres dhe të marrin pjesë në kompeticionet tona U-17 dhe U-20 në një të ardhme shumë të afërt.

E di që e ardhmja e futbollit në Shqipëri është në duar të sigurta dhe shumë të afta, falë edhe mbështetjes së Qeverisë dhe Kryeministrit, mikut tim të dashur Edi Rama dhe jam i sigurt që do të vazhdoni ta bëni lojën e bukur edhe më të bukur falë të menduarit në mënyrë inteligjente dhe krijuese, dhe, natyrisht, vendosmërisë dhe punës tuaj të palodhur. Dhe ju tashmë prisni kaq shumë zhvillime vitin e ardhshëm.

Urime fituesve të çmimeve për arritjet e tyre këtë vit dhe, natyrisht, ju uroj të gjithëve një mbrëmje të mrekullueshme.

Shihemi së shpejti. Një përqafim i madh për të gjithë. Mirupafshim./ZËRI/

Poll

MOS HUMB