
TIRANË- Nëse vuani nga ankthi, ky është lajm i mirë pasi është tregues se inteligjenca juaj është mbi mesataren. Në këtë përfundim kanë arritur studiuesit kanadezë nga Universiteti i Ontarios, pas një studimi që ata kryen mbi 100 studentë. Siç vëzhguan shkencëtarët, ata që kishin zgjedhur më shumë fraza që shprehnin ankthin, treguan performancë më të lartë në testet e inteligjencës verbale.
Sigurisht që nuk është i vetmi hulumtim që është bërë, pasi edhe psikologët në Qendrën Ndërdisiplinore të Izraelit Herzliya i kaluan 80 studentë nëpër teste të ndryshme. Ata zbuluan se më të shqetësuarit ishin edhe më të aftët në zgjidhjen e problemeve teknike që u paraqiteshin.
Në të njëjtën kohë, një psikiatër, Jeremy Coplan, vërejti se ata që vuajnë nga çrregullimi i ankthit kanë një IQ më të lartë se ata që përjetojnë ankth të lehtë.
Disa shpjegime të dhëna nga ekspertët?
Aftësia e një personi të zgjuar për të parë një situatë nga këndvështrime të ndryshme shoqërohet me nivele më të larta shqetësimi dhe ankthi. Por ndodh edhe që vetë stresi mund të na shtyjë të përpiqemi më shumë në fushat që na interesojnë, duke kultivuar kështu inteligjencën tonë.
Ka, sigurisht, përjashtime: një studim tregoi se stresi mund të ndikojë negativisht në IQ. Kjo sepse sipas psikologut Robert Epstein, kur dikush vuan nga stresi, ai nuk mund të mendojë shumë qartë.
Por, siç beson ai vetë, përjashtimet nuk e hedhin poshtë përfundimin e përgjithshëm. Në fakt, disa nga mendimtarët më të mëdhenj të historisë, si Charles Darwin, Abraham Lincoln dhe Nikola Tesla, mendohet se kanë vuajtur nga çrregullimet e ankthit./ZËRI