
LIVERPUL- Liverpuli kryesues pësoi një humbje të dhimbshme 3-2 ndaj Fulhamit në "Kraven Kotixh". Siguria e madhe e garës për titull duket e ngushtuar në raport të drejtë me largësinë nga Arsenali i vendit të dytë: 11 pikë nga 21 të tilla që janë ende në lojë. Dikush, me të drejtë, mund të ketë nisur të ndjejë frikë dhe shqetësim në njerën anë, e dikush tjetër të ndjejë shpresë. Rodrigo Munizi i Fulhamit dominoi fizikisht mbrojtjen e të kuqve, duke e vënë shumë në vështirësi vetë Virgjil van Dijkun. Skuadra e Arne Slotit tregoi dobësitë e theksuara në prapavijë.
Ndërsa Mekallisteri dhe Diazi shënuan për Liverpulin, Fulhami u tregua më i freskët dhe i vendosur, me Ivobin dhe Sesenjonin që paraqitën një formë shumë të mirë. Gabimet individuale të Kurtis Xhonsit, Robertsonit dhe Konates theksuan nevojën për një rindërtim të thellë te "The Reds" në sezonin e ardhshëm, alarm për të cilin skuadra është vënë prej kohësh e në Zëri kemi raportuar edhe emra konkretë që po shqyrton skuadra kryesuese. Mungesat e Salahut dhe Gakposë i la pa fuqinë e duhur për të shmangur humbjen. Mbrojtja e Fulhamit i rezistoi sulmeve në fund dhe e ngadalësoi me një javë marshimin e Liverpoolit drejt titullit.
Ndërsa ndeshja tjetër me interes dhe vëmendje, derbi i Mançesterit u mbyll pa gola, Guardiola u zhgënjye për pikët e humbura. Derbi i 196-të përfundoi pa gola. Ndeshja zhgënjeu pritshmëritë për një përballje të zjarrtë mes dy rivalëve. Derbi ishte i bardhë në shifra dhe i ftohtë në luftë. Xhoshua Zirkzeja pati një rast të mirë në fund të ndeshjes. Pep Guardiola mbeti i zhgënjyer për dy pikët e humbura, që e lënë Sitin në vendin e pestë dhe jashtë zonës së Ligës së Kampioneve për momentin. Mançesteri Junajtidi përgatitet për sfidën çerekfinale të Europa Ligës ndaj Lionit. Ndeshja shënoi edhe minutat e fundit të Kevin De Brujnit në “Old Trafford”, përpara largimit të tij të pritshëm në verë nga futbolli anglez./ZËRI