
TIRANË- E ftuar në emisionin ‘Rudina’, Mendi, vajza e Mirush Kabashit rrëfen kujtimet e të atit dhe ndër to, tregon pse nuk e ka plotësuar dëshirën e tij për emrin e djalit. Ajo e solli në jetë të birin, vetëm dy muaj pas largimit të të atit, ndërkohë që pengu më i madh ka qënë padyshim, fakti që djali nuk do e njohë gjyshin e tij.
Gjatë emisionit, Mendit iu vendos videoja e intervistës së Mirushit tek emisioni ‘Rudina’ para ca kohësh, ku ai kishte shprehur dëshirën për emrin e nipit.
“Nëse do të lindte djalë, vajza ime do t’ia vinte emrin Isë. Unë e kam pasur dëshirë që po të kisha djalë, do t’ia vija emrin Isë, në kujtim të Isa Boletinit. Unë jam nga Gjakova”, shprehet Mirush Kabashi në një pjesë të videos.
Por vajza e tij, nuk e ka plotësuar dëshirën e të atit. Ajo ka vendosur ta quajë Matias Mirush Kabashi.
“Po të ishte Mirushi mes nesh, me siguri do t’ia vija emrin Isë. Por nuk mund t’ia vija Isë, sepse... unë besoj në vazhdimësi, dhe për mua kjo është vazhdimësia. Im bir është shumë i vogël, një muaj e gjysmë dhe nuk e kupton vlerën dhe historinë që mbart ky emër... Fatin, krenarinë dhe privilegjin”, ka treguar e bija e aktorit të madh shqiptar.