
TIRANË- Nesër në stadiumin "Air Albania" do të zhvillohet ndeshja e radhës e vlefshme për Ligën e Kombeve. Shqipëria sfidon Gjeorgjinë të martën në orën 20.45, ku do të kërkojë 3 pikët e radhës pas ndeshjes me Ukrainës. Trajneri i kuqezinjve, Sylvinho u shfaq në konferencë për shtyp në prag të takimit, ku iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve. Në fjalën e tij, Sylvinho analizoi kundërshtarin, duke e vlerësuar si një ekip shumë të fortë. Por nuk zbuloi më shumë për formacionin që do të zgjedhë nesër.
FORMACIONI: Do të presim e të shohim gjendjen fizike të lojtarëve. Ndoshta, nesër pas drekës do të kemi pamje të qartë. Sot duhen parë si janë, duhet folur, duhet parë stërvitja, por kemi 23 lojtarë dhe shumë të gatshëm për të shkuar në fushë. Nëse kuptojmë që një lojtar nuk është në 100%, e bëjmë ndryshimin, sot është ende herët.
GJEORGJIA: Gjeorgjia është ekip i organizuar, trajneri është detajist. Kanë bërë një Europian shumë të mirë. Ata janë një ekip shumë i bukur, i harmonizuar dhe mendoj se do të bëjmë një lojë shumë të bukur kundër tyre.
Më pas, mikrofonat u kthyen nga mesfushori i Interit, Kristjan Asllani. Ky i fundit, u pyet edhe për debatin që pati në fushë me Rey Manajn për lojtarin që do të gjuante goditjen e dënimit. Mesa duket zënka mes djemve ka përfunduar në fushë dhe harmonia mbizotëron në kombëtaren kuqezi.
"Unë dhe Rey jemi shumë shokë. Ato gjëra ngelen në fushë. Unë i kërkova falje, se të gjithë bëjmë gabime. E rëndësishme është që fituam ndeshjen. Të gjithë sulmuesat duan të bëjnë gol. Do më gëzonte më shumë gol 3 pikësh i Rei Manajt me goditje dënimi. Këtë gjë e kemi harruar dhe do të mendojmë vetëm për ndeshjen. Gjeorgjia? Gjeorgjia luan një futboll të bukur. Ekipi i Gjeorgjisë është në rritje, në Europian ka bërë gjëra shumë të mira. Kvara është lojtar shumë i fortë, te Napoli po bën mirë. Sigurisht e respektojmë dhe do të kemi kujdes, do të rijmë 2 veta te ai. Gjeorgjia është një ekip shumë i fortë dhe do të jemi shumë të kujdesshëm,”-tha ai në konferencën për shtyp./ZËRI