
ANGLI- Princesha e Uellsit, Catherine, ka ndarë me publikun lehtësimin e saj pasi ka përfunduar trajtimin e kimioterapisë, në një video të publikuar nga Kensington Palace. Catherine, e cila zbuloi në mars se po trajtohej për kancer, ka qenëndruar larg syve të publikut për pjesën më të madhe të vitit.
Në një video-mesazh , Princesha Catherine përshkruan këtë vit si "jashtëzakonisht të vështirë" dhe thekson se "jeta mund të ndryshojë në një çast". Ndërsa përfundimi i trajtimit përfaqëson një hap pozitiv në rrugën e saj drejt shërimit, Kensington Palace ka njoftuar se ende nuk është e mundur të thuhet nëse ajo është plotësisht e lirë nga kanceri.
"Ndërsa vera po mbaron, nuk mund t'ju them se çfarë lehtësimi është që përfundimisht kam përfunduar trajtimin tim të kimioterapisë," thotë princesha në video, e cila u filmua muajin e kaluar në Norfolk, mes pamjeve të bukura vjeshtore. Në video, ajo shihet duke ngarë makinën dhe duke kaluar kohë me familjen e saj, duke reflektuar qetësinë dhe kënaqësinë që i ka sjellë përfundimi i kësaj faze të trajtimit.

Pavarësisht përparimit, Catherine pranon se rruga e saj drejt rikuperimit të plotë është ende e gjatë dhe se shëndeti do të mbetet prioriteti i saj kryesor në muajt e ardhshëm. "Unë duhet të vazhdoj të marr çdo ditë ashtu siç vjen," thotë ajo.
Megjithatë sipas BBC, përvoja e vështirë i ka sjellë një perspektivë të re për jetën. "Ka pasur kohë të vështira, por kjo përvojë më ka dhënë një ndjenjë të re të shpresës dhe një vlerësim të thellë për jetën."
Princesha ka qenë kryesisht jashtë detyrave publike që nga janari, kur u shtrua në spital për një operacion abdominal, pas së cilit u diagnostikua me kancer në mars. Gjatë kësaj periudhe, ajo kishte kërkuar privatësi për t'u përqendruar në shërimin e saj./ ZËRI