Qytetërim

Kush nuk e pa, nuk e beson: Junajtidi dhe Lioni dje luajtën një "thriller"

"Djajtë e kuq" dominuan 70 minutat e para, duke shënuar dy herë me Ugarten në minutën e 10-të dhe Dalotin në fundin e pjesës së parë.

Redaksia Zëri
Kush nuk e pa, nuk e beson: Junajtidi dhe Lioni dje luajtën një
FOTO ILUSTRUESE

PARIS-Mançester Junajtidi, mbrëmë kreu një përmbysje historike dhe arriti një kualifikim dramatik për në gjysmëfinalen e Ligës së Evropës. Në kufijtë e të pabesueshmes. 120 minuta lojë kundër Lionit që i kishte të gjitha: në fillim si lojë e dominuar dhe si ndeshja më e mirë e sezonit të të kuqve të Amorimit për 70 minutat e para, 2-0 avantazh, pastaj rrëshqitje e situatës në një disavantazh deri në 2-2 në kohë të rregullt e thellim disavantazhi 2-4 në shtesa. Në fund, përmbysja e çmendur në shtatë minuta historike: 5-4.

Ndeshja e mbrëmshme e sfidoi logjikën dhe i sprovoi deri në limite emocionet e kujtdo. Heroi i mbrëmjes ishte Herri Meguajer, i cili duke u vetëshkruar në historinë e mbrëmjes së djeshme mund të nisë një kapitull të ri marrëdhëniesh me tifozët e kuq, me të cilët ka një marrëdhënie të tensionuar si lojtari më i kritikuar i klubit. Meguajër shënoi golin e fitores në minutën e 121-të, duke e shpënë në kupë të qiellit festën e pabesueshme të "Old Trafford-it".

Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë për skuadrën angleze. "Djajtë e kuq" dominuan 70 minutat e para, duke shënuar dy herë me Ugarten në minutën e 10-të dhe Dalotin në fundin e pjesës së parë.

Junajtidi kishte kontrollin dhe krijoi shunë raste të tjera për të thelluar rezultatin, por një devijim i pafat solli golin e Tolizos për francezët e Lionit në minutën e 71-të. Ky gol e riktheu Olimpikun e Lionit në lojë.

Vetëm shtatë minuta më vonë Taljafiko barazoi shifrat, duke e futur takimin në shinat e një "thriller-i" të vërtetë.

Pavarësisht se Olimpiku i Lionit mbeti me një lojtar më pak, pas daljes me karton të kuq të Tolizosë në minutën e 89-të, francezët nuk u dorëzuan.

Në kohën shtesë, Çerkija shënoi të tretin, 3-2 dhe i përhershmi Lakazet u duk se e mbylli në minutën 107-të, 4-2, nga pika e penalltisë.

Atëherë kur u duk se ëndrra evropiane e Junajtidit kishte marrë fund, Bruno Fernandesi aktivizoi "magjinë" dhe me një penallti në minutën e 114-të ngushtoi rezultatin. Mainoja në të 120-ën barazoi në kufijtë e të pabesueshmes dhe vetëm një minutë më pas, Meguajër, 5-4.Nga 2-4, në 7 minutat e fundit të lojës, në pjesën e dytë shtesë, 5-4. Mrekullia ndodhi. Gjysëmfinalisti i Ligës së Evropës u bë Mançesteri dhe jo Lioni.

Në gjysëfinale ata do të përballen me Atletikun e Bilbaos. Edhe pse historia e "djajve të kuq" është e pamatë, përplot trofe dhe ngjarje, diçka është e sigurt: ndeshja e mbrëmshme do të tregohet në muzetë e klubit njësoj si një titull i fituar./ZËRI

Poll

MOS HUMB