
TIRANË- Artistja Besa Kokëdhima ka folur një natë më parë për eksperiencën e saj në Eurovision, ku përfaqësoi Shqipërinë me këngën “Titan”. Kokëdhima foli për çmimet e “frikshme” të performancave. Ndër të tjera, artistja foli dhe për dashurinë e madhe që mori nga publiku si dhe u shpreh se vendi ynë kishte një përfaqësim dinjitoz në festivalin europian. Sa i përket çmimeve të “kripura” të performancës, Kokëdhima tha se ajo nuk i kishte realizuar ato detaje shtesë në performancën e saj. Deklaratën e bëri e ftuar në “Cherry on Top”.
Besa Kokëdhima: E kisha menduar që mund të mos kalonim në finale, pavarësisht se si përfaqësim i Shqipërisë ka qenë shumë i dinjitetshëm, por kishim disa rrethana që ndërlidheshin. Ishte një gjysmëfinale shumë e fortë, rastisëm me disa shtete që kishin 6 vite pa kaluar në finale. Është afërmendjes që një shtet që ka shumë vite pa kaluar në finale duhet të kalojë. Nga dy shtete thonin që nëse nuk kalonin edhe sivjet në finale do të tërhiqeshin. Shqipëria kalon shumë shpesh në finale. Kur kemi marrë listën e çmimeve sa nuk na ra të fikët. Një element zjarri që mund të zgjasë 3 sekonda, kushton 3 mijë… deri në 7 sekonda – 7 mijë euro. Vetëm për të mundësuar tym, fillon 15 mijë euro pa nisur dhe çdo sekondazh është tre deri në 7 mijë euro, por ne nuk bëmë gjëra të tilla./ZËRI