
MAQEDONI E VERIUT- KF Voska Sport, klubi shqiptar nga Ohri, pjesëmarrës në ligën e nivelit të parë në futbollin e Maqedonisë së Veriut, ka komunikuar me publikun se ka vendosur të tërhiqet nga gara e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut.
Ky vendim erdhi pas vendimit të Komisionit të Disiplinës për heqjen e 9 pikëve në një fazë vendimtare të sezonit. Këtë vendim, sidomos kohën dhe rrethanat e marrjes së tij, klubi nuk i ka pritur mirë.
Klubi shqiptar nga Ohri e quajti kulm të padrejtësive këtë vendim, të cilin e sheh të lidhur ngushtë me vendime të tjera të njëpasnjëshme që klubi i tyre ka përjetuar këtë vit në kurriz.
“Në këtë kampionat nuk kemi luftuar vetëm kundër kundërshtarëve në fushë, por edhe ndaj padrejtësive sistematike të FFM-së, ndaj ia falim edhe 13 pikët e mbetura!”, thuhet në deklaratën e klubit.
KF Voska Sporti, në komunikatën në rrjetet e tyre, u shpreh se vendimi i fundit është dëshmi e qartë se në Ligën e Parë mungon drejtësia. Sipas tyre FFM favorizoi klubet e lidhura me interesa të ngushta.
"Në një klimë ku nuk respektohet parimi i barazisë dhe “fair-play”-it, Voska Sport nuk sheh më vend për veten në këtë kampionat.", u shpreh klubi zyrtarisht.
Klubi shqiptar renditej i dymbëdhjeti në Ligë, me 22 pikë, 4 pikë larg shpëtimit 5 ndeshje nga përfundimi i kampionatit.