
SHBA- Studiues nga Universiteti i Pensilvanisë e kanë shndërruar kërpudhën vdekjeprurëse "Aspergillus flavus", e lidhur prej shekujsh me mallkimin e faraonëve, në një përbërës të fuqishëm që lufton kancerin, duke hapur rrugë të reja për zbulimin e më shumë ilaçeve kundër kërpudhave. Pasi arkeologët hapën varrin e mbretit Tutankhamun në vitet 1920, një seri vdekjesh të parakohshme ndodhën mes ekipit të gërmimeve. Vdekjet nxitën thashethemet për një mallkim të faraonit. Dekada më vonë, mjekët zbuluan se sporet e kërpudhave, të fjetura për disa mijëvjeçarë, mund të kenë luajtur një rol në vdekjet masive.
Në vitet 1970, 12 shkencëtarë hynë në varrin e Kazimirit IV në Poloni. Brenda pak javësh, dhjetë prej tyre vdiqën. Hulumtimet e mëvonshme zbuluan se varri përmbante "Aspergillus flavus", toksinat e të cilit mund të çojnë në infeksione të mushkërive, veçanërisht tek njerëzit me sistem imunitar të dobësuar.
Tani, e njëjta kërpudhë është burimi i një trajtimi të ri premtues për kancerin.
"Kërpudhat na dhanë penicilinë. Këto rezultate tregojnë se ka shumë më tepër ilaçe të nxjerra nga produkte natyrore sesa kemi zbuluar,"-tha Sheri Gao, profesoreshë e asociuar e Inxhinierisë Kimike dhe Biomolekulare dhe Bioteknologjisë dhe autore kryesore e punimit në "Nature Chemical Biology".
Trajtimi në fjalë është një klasë peptidesh të sintetizuara në ribosom dhe të modifikuara pas përkthimit (RiPP). Ndërsa mijëra RiPP janë identifikuar në baktere, vetëm disa janë gjetur në kërpudha. Për të gjetur më shumë RiPP nga kërpudhat, studiuesit studiuan së pari një duzinë llojesh të Aspergillus, të cilat nga hulumtimet e mëparshme ishte zbuluar se mund të përmbanin më shumë nga këto kimikate.
Pas pastrimit të katër RiPP-ve të ndryshme, studiuesit zbuluan se molekulat ndanin një strukturë unike të unazave të ndërlidhura. Studiuesit i emëruan këto molekula: aspergillomicina.
Edhe pa modifikim, kur u përzien me qelizat kancerogjene njerëzore, aspergomicinat ishin premtuese: dy nga katër variantet kishin efekte të fuqishme kundër qelizave të leuçemisë. Një variant tjetër, të cilit studiuesit i shtuan një lipid, ose molekulë yndyrore, që gjendet gjithashtu në pelten që ushqen bletët në zhvillim, funksionoi po aq mirë sa citarabina dhe daunorubicina, dy ilaçe të miratuara nga FDA që janë përdorur për dekada për të trajtuar leuçeminë.
Përmes eksperimenteve të mëtejshme, studiuesit zbuluan se aspergomicinat ka të ngjarë të prishin procesin e ndarjes qelizore. Injektimet kishin pak ose aspak efekt në qelizat e kancerit të gjirit, mëlçisë ose mushkërive, duke sugjeruar që efektet e aspergomicinave janë specifike për lloje të caktuara qelizash.
Studiuesit identifikuan grupe të ngjashme gjenesh në kërpudha të tjera, duke sugjeruar se mbeten për t'u zbuluar më shumë nga "RiPPS kërpudhore".
Hapi tjetër është testimi i aspergomicinave në modelet shtazore, me shpresën që një ditë të kalohet në provat klinike tek njerëzit./ZËRI