
PRISHTINË- Fushat mbi fshatin e Bërnicës së Poshtme ofrojnë një pamje spektakolare të fshatit përreth. Qielli blu përshkohet me siluetat e maleve që rrethojnë Prishtinën, kryeqytetin e Kosovës. Horizonti është i shpuar nga minare të holla e të argjendta dhe shtëpi me çati të kuqe. Ndërsa dita kthehet në natë, ky sfond skenik bëhet i zi, skena ndriçon dhe muzika nis.
Ky është festivali Sunny Hill, një festival katërditor i muzikës pop i organizuar nga ylli ndërkombëtar Dua Lipa dhe babai i saj, Dukagjin Lipa.
Pasi ka shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, Kosova është vendi më i ri në Evropë, pasi mosha mesatare e qytetarëve të saj është 29.5 vjeç, ndoshta e ndihmuar nga fakti se të rinjtë kosovarë deri vonë nuk mund të përfitonin nga liria e lëvizjes brenda BE-së. Popullsia e vendit prej 1.8 milionë banorësh është më pak se një e katërta e qytetit të Nju Jorkut, ndërsa sa territor është vetëm sa 3% e Gjermanisë. Këto detaje e bëjnë edhe më të jashtëzakonshëm ndikimin e vendit të vogël ballkanik në muzikën pop ndërkombëtare.
Dua Lipa dhe Rita Ora, dy nga këngëtaret më të mira në botë janë me origjinë shqiptare kosovare, të lindura nga prindër që u larguan nga rajoni i shkatërruar nga lufta në vitet 1990. Lipa dhe Ora, të dyja këndojnë në anglisht, por edhe artistët në gjuhën shqipe nga Kosova kanë pasur suksese të mëdha në Evropë, Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut, Indi, Australi dhe SHBA.
“Me aktivitete të kufizuara rekreative në dispozicion, të rinjtë e kanë kanalizuar energjinë e tyre në muzikë dhe art,”- shpjegon Gent Osmani, kompania e të cilit 'Fole Publishing' shpërndan dhe tregton video muzikore për yjet shqiptarë dhe kosovarë.
Njëra prej tyre, Dhurata Dora, ka më shumë se 860 milionë shikime në YouTube me hitin e saj të parë "Zemër", një bashkëpunim i vitit 2019 me reperin algjerian Soolking. Bashkëpunimi i Dorës në vitin 2021 me këngëtaren kongo-franceze GIMS, Only You, u certifikua me "ar: në Francë dhe "platin" në Zvicër. Nuk mbetet pas as ylli i "Voice of Albania", Yll Limani, i cili ishte padyshim performanca e spikatur në gjuhën shqipe në Sunny Hill këtë vit.
Duke kënduar tekste të përqendruara kryesisht te dashuria dhe tradhtia, yjet e estradës kosovare shpesh bashkëpunojnë me artistë nga Shqipëria apo diaspora. Ato përfshijnë gjithçka, nga meloditë tipike ballkanike, deri te meloditë tërheqëse pop (përfshirë Bonbonin e Era Istrefit, e cila është shikuar gati një miliard herë në YouTube).
Meqë muzika e estradës kosovare vazhdon të përhapet në mbarë globin, pyetja është se sa nga suksesi i saj përfiton ende vendi i vogël nga e ka origjinën.
Sipas Dukagjin Lipës, ndikimi ekonomik i festivalit Sunny Hill në Prishtinë është rreth 20 milionë euro në një javë. Shumë hotele në qytet rezervohen gjatë kohës së festivalit. Por me biletat me çmim prej 200 € për kokë – pak më pak se gjysma e pagës mesatare mujore të kosovarëve – festivali është i paarritshëm për shumë vendas. Rreth 45% e atyre që morën pjesë në festival këtë vit udhëtuan nga jashtë.
Më 1 janar të këtij viti, mbajtësit e pasaportave kosovare fituan të drejtën e udhëtimit pa viza brenda BE-së. Disa kanë frikë se kjo mund të shkaktojë një ikje të trurit të vendit. Megjithatë, liberalizimi i vizave do të lehtësojë gjithashtu lëvizjen e lirë të ideve dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, në muzikë dhe më gjerë. Në festival, adoleshentët Vesa dhe Urta thonë se do të dëshironin të studionin në universitete jashtë vendit, por planifikojnë të kthehen në Kosovë më pas.
“Mendoj se Kosova është zgjidhja më e mirë për të jetuar. Ne i kemi të gjithë miqtë tanë këtu, ju mund të dilni në mes të natës dhe të ndiheni të sigurt.”
Në Zone Club, një nga klubet më të njohura të natës në Prishtinë, festa vazhdon deri në orët e vona të natës.
Marrë nga "TheGuardian"