LONDËR- Finalja e Ligës së Evropës, mënyra historike dhe heroike se si u arrit, ka ngjallur te Junajtidi një perspektivë krejt tjetër.
Amorimi tashmë ka marr në dorë timonin dhe njerin sy po e mban nga viti i ardhshëm. Objektivat e parë janë në letër. Nuk ka dyshime se Junajtidi është në nevojë të ethshme për përforcime.
Sulmuesi i Ipsuiç Taunit, Liam Delapi, ka gjasa të bashkohet me Junajtidin gjatë verës, raporton talkSPORT.
Përfaqësuesi i Anglisë U21, i cili u transferua te Ipsuiç nga Mançester Siti vitin e kaluar, është i arritshëm vetëm për 30 milionë paund, falë një klauzole në kontratë që aktivizohet në rast rënieje nga kategoria.
22-vjeçari ka shënuar 12 gola dhe ka dhënë 2 asistime për një skuadër që ka pasur vështirësi gjatë të gjithë sezonit. Për shkak të çmimit të ulët, shumë nga klubet kryesore të Premier Ligës kanë shfaqur menjëherë interes. Sipas raportit, trajneri i Junajtidit, Ruben Amorimi, e sheh Delapin dhe sulmuesin e Uolvsit, Mateus Kunja, si pjesë kyçe të rindërtimit të ekipit, ndërkohë që Rasmus Højlundi pritet të largohet./ZËRI