
ZVICËR – Granit Xhaka është zgjedhur futbollisti më i mirë i Zvicrës. Kjo është hera e tretë që mesfushori i Leverkusen e merr një çmim të tillë. Ai po kalon një moment të mirë tek skuadra gjermane. Leverkusen po konkurron Bayern Munich për të qenë kampioni i kampionatit gjerman dhe Xhaka është titullar absolut. Ish-futbollisti i Arsenalit, tashmë 31-vjeçar u shpreh se është shmë i lumtur për trofeun. Ai tha se është si një verë, që bëhet gjithnjë e më i mirë, edhe pse koha kalon. Xhaka nënvizon se suksesi për të nuk ka qenë aspak i lehtë.
“Jam krenar dhe e kam kënaqësi të madhe që të nderohem sërish si futbollisti më i mirë në Zvicër. Ky është shpërblimi për punën e vështirë, që bëj përditë. Kam provuar që të më shajnë edhe 600 mijë njerëz, kjo nuk është ndjenjë e lehtë, sa herë që kemi humbur. Edhe pse gruaja ime është gjermane, ajo ishte kundër që ne të largoheshim nga Londra. Nuk ishte e lehtë të largohesha nga një qytet i madh si Londra, pasi jetova aty për shtatë vite. Bayer Leverkusen më ka ofruar një kontratë afatgjatë dhe sigurisht nuk jam penduar. Po luajmë fort dhe po bëjmë mirë. Në Angli kam mësuar shumë për mentalitetin e futbollit. Jam 31 vjeç tani dhe nuk jam më kaq i ri. Por jam si vera e kuqe, që sa më shumë kohë që kalon, më i mirë bëhem”, tha Xhaka.
I pyetur nëse do të luajë me Baselin, ai tha se kur të mbarojë kontratën me Leverkusen, do të jetë 36 vjeç. Sipas tij, atëherë nuk do ta ketë të lehtë që të luajë. “Kur të mbaroj kontratën time me Bayer Leverkusen, do të jem 36 vjeç. Nuk e di nëse do të kem më fuqi që të luajë. Duhet parë se çfarë do të ndodhë, sepse as vetë nuk e di”, tha mesfushori me origjinë shqiptare.
Granit Xhaka theksoi se shpreson që këtë vit të fitojë së paku një trofe të rëndësishëm. Leverkusen, ku ai aktivizohet rregullisht ka treguar ‘dhëmbët’ dhe është bërë rival i fortë për kampionët gjermanë të Bayern Munich./Watson -ZËRI/