
PRISHTINË- Ish-reperi i njohur Feronit Shabani, i njohur me emrin e artit Fero, i cili hoqi dorë nga muzika për t’iu përkushtuar fesë, ka folur për gjendjen e tij të shëndetit mendor. Në një intervistë 'live' për mediat e Kosovës, Fero ka pranuar se po kalon një periudhë depresive për shkak se i është mohuar e drejta për të takuar vajzën, Nina, që ka ardhur në jetë nga lidhja me ish-partneren, modelen Arbenita Ismaili.
"Gjendja ime është jo e mirë. Unë si prind i vajzës time më është bërë padrejtësi. Vajza ime udhëton në shtete të ndryshme. Vajza më është marrë peng në një farë mënyrë. Përndryshe do të ngre padi ndaj të gjithëve. Kërkoj që të më kthehet sa më parë vajza në vendlindje. Jam ankuar shumë herë tek Policia dhe tek Prokuroria dhe nuk kam pas zgjidhje tjetër veçse të marr mediat. Nuk e di ku e kam vajzën tani. Më janë bërë shumë padrejtësi edhe pse nuk dua t'i them, kam prova për të gjitha. Kam frikë se vajza nuk më kthehet më. Ajo që po them është vetëm 2% i padrejtësive që më kanë bërë. Ajo po mundohet të më lëndojë përmes vajzës. Ajo të ketë jetë të lumtur, por të më kthejë vajzën. I ka bërë pasaportë false maqedonase,”- tha Fero.
Për të treguar gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet, Fero dha edhe një paralajmërim për autoritetet: Po bëj një thirrje për Prokurorinë e Gjilanit, veçanërisht për prokuroren që e ka rastin tim. Nuk po di si ta shpjegoj ndryshe që jam në një gjendje shumë të rëndë. Çka ndodh nëse unë nesër nuk mund t’i kontrolloj emocionet e mia dhe bëj vetëvrasje? A mban përgjegjësi ajo? Nuk guxoj të flas për padrejtësitë që më janë bërë...
Më pas, në rrjetet e tij sociale, Fero nuk u ndal me kaq!
“Një njeri kur është i shkatërruar në një mijë mënyra, di një mijë rrugë për të rindërtuar veten edhe njëmijë mënyra të tjera, për të shkatërruar dikë,”- shkroi ai së fundmi në Instagram. Edhe pse nuk e përmendi me emër, sërish duket se mesazhin ia dërgoi ish-partneres së tij.
Fero ka qenë më parë i martuar me modelen e njohur shqiptare Arbenita Ismajli, me të cilën ka një vajzë. Rrugët e tyre u ndanë pak muaj më parë, pasi ish-reperi përfundoi në pranga i akuzuar për dhunë ndaj modeles. Pasi fitoi lirinë, Fero vendosi t’i përkushtohej fesë islame, e madje ka hapur edhe një biznes. Por duket se aktualisht nuk po kalon një periudhë të mirë./ZËRI