
TIRANË- Shtimi i numrit të ndeshjeve nuk po pritet mirë nga futbollistët që kanë nisur të ngrenë zërin kundër. Mesfushori i Kombëtares spanjolle, Rodri ka shprehur hapur qëndrimin e tij kundër, duke bërë një "matematikë" të thjeshtë. Sipas tij, me 40-50 ndeshje në sezon, lojtarët mund të performojnë në një nivel të lartë, në të kundërt, performanca e tyre bie!
"Nuk është e mundur të ruash të njëjtin nivel fitnesi. Duhet të mbrohemi, ne jemi fytyrat kryesore të këtij sporti, apo të këtij biznesi. Nëse njerëzit duan të shohin futboll më të mirë, ne duhet të kemi mundësi të pushojmë. Jo e gjitha është para dhe marketin, por na duhet edhe show. Sa më shumë të rritet numri i ndeshjeve, aq më i ulët është niveli dhe cilësia. Ne kemi nevojë për pushim”.
Në fillim të këtij muaji, organi qeverisës botëror i futbollistëve profesionistë (FIFPro) bëri thirrje për masa për të mbrojtur lojtarët nga barra që po u shtohet. Përveç rritjes së numrit të ndeshjeve në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës, tani po disktuohet edhe një teori e re; Kupa e Botës për Klube, edicioni i parë i së cilës është planifikuar për verën e vitit 2025 në SHBA. Në kompeticion është llogaritur pjesëmarrja e 32 skuadrave.
Ndaj edhe Rodri, duke bashkuar zërin me kolegët e tij që së fundmi ankohen për ngarkesën e vazhdueshme që po ushtrohet mbi ta, ka dalë kundër shtimit të numrit të ndeshjeve.
“Çdo lojtar që pyesni do t'ju thotë këtë. Është një opinion i përgjithshëm mes futbollistëve, nuk është vetëm opinioni i Rodrit,”-tha mesfushori i Manchester City-t.
Por sa seriozisht e kanë qëndrimin kundër? Dhe a janë gati të hyjnë në grevë për të kundërshtuar, Rodri nuk e ka një përgjigje.
“Nëse vazhdon kështu, në një moment nuk do të Kemi mundësi të tjera. Nuk e di se çfarë do të ndodhë, por gjithsesi është diçka që na shqetëson, sepse ne jemi ata që vuajmë,”- shtoi Rodri, i cili luajti në pothuajse 60 ndeshje zyrtare vitin e kaluar, me Manchester Cityn dhe skuadrën e Spanjës./ZËRI