
GJERMANI – Ish-drejtuesi i Bayern Munich, Karl-Heinz Rummenigge ka kritikuar Superligën Europiane. Ai tha se kjo ligë u refuzua menjëherë nga disa ekipe të mëdha të Europës dhe me të drejtë. Sipas tij, Superliga dëmton Premier League dhe merr fund meritokracia.
“Bayern Munich ka dëshmuar se është një ekip i fortë dhe sigurisht që do të fitojë në Europë, si në Champions, qoftë edhe në Europa League. Por ne duam të fitojmë me meritë. Nuk duam një kompenticion, që të jemi aty vetëm pse jemi të pasur”, tha ai.
Rummenigge vlerësoi se spanjollët janë ata që kanë shprehur simpati për këtë ligë, vetëm për të dëmtuar Premier Ligën. “Spanjollët kanë interes për Superligën. Kjo sepse ata duan të dëmtojnë Premier League. Liga angleze fiton më shumë sepse ata luajnë më mirë, gjithçka është e bazuar në meritë. Nuk duam një model amerikan, ku më i pasuri të ketë gjithmonë një vend të mirë, edhe nëse nuk fiton”, tha ai.
Më tej, Rummenigge ka shpjeguar rastin e Copenhagen, që arriti të shkojë mes 16 më të mirave të Europës dhe ata gëzuan shumë për këtë. “Askush nuk e priste që Copenhagen të arrinte të kualifikohej nga faza e grupeve të Champions dhe të shkojë në 16 më të mirat e Europës. Ata festuan shumë, sepse arritën diçka, që kurrë më parë nuk e kishin arritur. Kjo mund të ndodhë kur ka meritokraci. Futbolli nuk është matematikë, çdokush duhet të fitojë kur e meriton”, shtoi ai.
Gjykata e Drejtësisë e BE-së pritet të marrë një vendim për Superligën Europiane, e cila është kritikuar së tepërmi nga një sërë klubesh të mëdha./ZËRI/