Qytetërim

Interi legjendar finalist i parë, gjysëmfinale historike me 13 gola

Interi kishte diçka më shumë, të dukshme dhe të padukshme: publikun vendas dhe shpirtin, që u kombinuan së bashku dhe mbrëmë ndërtuan histori.

Redaksia Zëri
Interi legjendar finalist i parë, gjysëmfinale historike me 13 gola
FOTO ILUSTRUESE

ITALI-Në një natë epike në “San Siro”, nga ato që gjeneratat do t’i kujtojnë gjatë e do t’i përdorin si njësi matëse ose krahasuese. Interi i Inzagit, mbrëmë, përmbysi çdo parashikim dhe eliminoi Barcelonën pas një përballjeje dramatike që përfundoi 4-3 pas kohës shtesë.

Pas barazimit të çmendur 3-3 me golin e Açerbit në minutën e 93-të, Fratezi shënoi golin e fitores në minutën e 99-të, duke çuar zikaltrit në finalen e Ligës së Kampionëve për herë të shtatë në histori. E dyta finale në epokën e trajner Inzagit. Barcelona, pas një pjese të parë në disavantazh 2-0, reagoi furishëm në pjesën e dytë duke përmbysur rezultatin në 3-2. Por përballë shpirtit të pathyeshëm të Interit, nuk mjaftoi. Interi kishte diçka më shumë, të dukshme dhe të padukshme: publikun vendas dhe shpirtin, që u kombinuan së bashku dhe mbrëmë ndërtuan histori.

Një përballje me 13 gola në total, si gjysëmfinale, nuk ka se si të harrohet. “San Siroja” përjetoi emocione të papërsëritshme, ku çdo minutë ishte një dramë më vete. Nga mbrojtja heroike e portës nga Someri, te krosi vendimtar i Dumfries dhe finalizimi i Fratezit, çdo detaj tregoi karakterin e një skuadre të lindur për ndeshje të mëdha dhe të karikuar më së miri nga trajneri Inzagi. Rruga e lavdisë kalon nga Mynihu më 31 maj, përballë Arsenalit ose PSG-së. Një skuadër që kalon një gjysëmfinale të tillë, përballë një Barcelone të tillë, i ka të gjitha letrat në rregull për të ëndërruar./ZËRI

Poll

MOS HUMB