
TIRANË- Helena Kadare, bashkëshortja e Kolosit të letërsisë shqipe ka folur 40 ditë pasi Ismail Kadare u nda nga jeta. Ajo shprehet se te dy kanë qënë bashkëudhtarë në jetën plot me sfida dhe pengesa. Gjithashtu Helena shtoi se pranonti sakrificën e ndarjes së dashurisë së Ismailit vetëm me librat, të cilat e bën atë të pavdekshëm.
“Kanë kaluar 40 ditë dhe për mua e njerëzit e dashur është ende prezent. Akoma nuk po e kuptoj që nuk është më. Prezenca ime afër Ismailit, ka qënë një rrugë e gjatë e shkëlqyeshme dhe e lodhshme gjithashtu. Gjithmonë janë miliona adhuruesit e tij nëpër botë, e sigurisht duke filluar nga shqiptarët. Por ka qenë edhe rruga tjetër e sulmeve që janë bërë kundrejt tij. Jam përpjekur të jem një grua e një shoqe për ta mbështetur në momentet e vështira, por njëkohësisht janë të shumta momentet e bukura që kemi kaluar së bashku. Jam përpjekur ta bëj jetën e tij që të mos e ndjej kurrë nevojën e diçkaje, them diçkaje të thjeshtë të përditshme. Domethënë ai merrej vetëm me punën e tij dhe e vuante shumë nëse nuk bënte ato dy orë e gjysmë shkrim në ditë, që i ka bërë ditë festash, udhëtimesh të pafundme tonat. Vetëm çështja e Kosovës e ka bërë që ai të heq dorë nga ajo punë që e kishte aq përzemër. Për ta përfunduar siç thoshte ai vetë shumë bukur që ‘kam bërë një gjë normale në një vend anormal. Dhe siç e dini ju të gjithë e ka bërë me shumë sukses, e jam shumë krenare që kam qenë në krah të tij”, kujton Helena për TCH.
Ismail Kadare ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare më 1 Korrik 2024. Autori më i madh i letrave shqipe, la pas një trashëgimi të pashlyer me veprat e tij. Ismail Kadare nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë./ ZËRI