
GJERMANI-Trajneri Sylvinho dhe kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti, kanë dalë para mediave në prag të ndeshjes së dytë të Grupit B në Euro 2024. Gjimshiti ka folur në lidhje me sfidën që i pret përballë Kroacisë. Ai u shpreh se duhet të jenë të përqëndruar në lojë, pasi në çdo gabim kroatët do të shfrytëzojnë rastin.
“Gjëja më e rëndësishme është fakti se Kroacia është në rolin e favoritit. Në këto ndeshje që janë kaq të rëndësishme, duhet të kesh përqëndrimin. Çdo gabim apo një problem, do të shfrytëzojnë rastet. Skuadra duhet të përmirësohet dhe të bëjmë gjithçka në fushë. Ne ishim pak në shok në atë moment dhe besoj se duhet të ndryshojmë këtë në ndeshjen e radhës ndaj Kroacisë. Pasaliç? Kur kam qenë në ekip bashkë sigurisht kemi bërë shaka, gjëja që ka mbetur në kokë është që tha se Kroacia nuk ka luajtur kurrë kundër Shqipërisë dhe besoj që do të jetë shumë e bukur dhe kemi qeshur bashkë e do shihemi në fushë, është një djalë i mirë që e njoh prej 6 vitesh a më shumë. Është shumë e rëndësishme, besoj se psikologjia është me rëndësishme në këtë moment se lodhja fizike se bën ndryshimin në lojë. Sigurisht kam folur me disa lojtarë, e sigurisht duhet të japësh kurajë për nesër, nuk ishte e lehtë të luajë dhe kishim pritshmëri ndryshe. Por duhet të dalim me eksperiencë, përmirësohemi e mësojmë diçka nga ajo. Unë kam më shumë vite, eksperiencë më të madhe, mundohem të ndihmoj më të rinjtë se këto gjëra ndodhin e do të kesh ndeshje të tjera në jetë që mund të jenë më keq se me Italinë ndaj duhet të vazhdosh”. Kam thënë edhe pas pjesës së parë me Italinë, e linim shumë thjeshtë në zonën tonë. Në këto ndeshje duhet të kesh eksperiencë dhe duhet t’i ndalësh ritmin kundërshtarit. Nuk duhet të jesh vetëm i bukur në fushë por edhe i pistë. Për Kroacinë nuk ishte një ndeshje e mirë ajo e para, humbën 3-0. Do jetë një lojë e vështirë si për ata apo te ne. Secili tenton më të mirën, le të shohim çfarë do të ndodh nesër",-tha ai.