
FRANCË- Aktori i njohur Gerard Depardieu është thirrur nga policia mëngjesin e sotëm dhe është vendosur në paraburgim, në lidhje me akuzat për dhunë seksuale të ngritura ndaj tij nga dy gra. Lajmi është bërë i ditur nga kanali televiziv BFM-TV. Aktori, i cili është 75 vjeç do të merret në pyetje për dy rastet që kanë të bëjnë me të.
Mbi trembëdhjetë gra e kanë akuzuar aktorin me pasaportë të dyfishtë franceze dhe ruse për abuzim seksual. Depardieu ka qenë nën hetim që nga viti 2020 për përdhunim kundër Charlotte Arnould dhe u akuzua së fundmi nga aktorja Hélène Darras, në kontekstin e një sulmi seksual të dyshuar të kryer në vitin 2007, gjatë xhirimeve të filmit "Disco".
Charlotte Arnould ishte gruaja e parë që denoncoi zyrtarisht Depardieu, deri në atë pikë sa ta çonte në gjykatë, por akuzat e para, disa vite më parë, u bënë nga Emmanuelle Debever, aktorja që në të njëzetat e hershme kishte ndarë sheshin e xhirimit me gjigandin e skenës franceze.
Gruaja u vetëvra pak muaj më parë, duke u hedhur në Senë, ditën kur në televizionin francez u transmetua programi “Complement d’investigation”, hetimi për rastet e dyshuara të ngacmimeve të kryera nga aktori francez.
Në korrik 2023, një nga asistentët e skenës së aktorit bëri një tjetër akuzë kundër Depardieu për tentativë për dhunë seksuale ndaj saj, e cila kishte ndodhur disa vite më parë: "Gérard Depardieu më shtyu pas murit dhe u përpoq të më përdhunonte", deklaroi gruaja, e cila nuk e zbuloi emrin e saj të vërtetë nga frika e "raprezaljeve profesionale”.
Videot e reja të sikletshme të transmetuara nga Complément d'Enquete, programi investigativ në televizionin publik francez, zbuluan disa muaj më parë një Gerard Depardieu të shfrenuar, më të papenguar se kurrë në komentet e tij seksiste dhe seksuale, madje edhe ndaj një vajze të vogël.
Pamjet e shfaqura në TV datojnë në vitin 2018, kur aktori kishte vizituar Korenë e Veriut. Duke vizituar një shkollë kalërimi, Depardieu thuhet të ketë thënë se "gratë e duan kalërimin e kuajve, klitori i tyre fërkohet me dorezën e shalës". Më pas, duke parë një vajzë dhjetëvjeçare duke hipur në kalë, ai shtoi: "Nëse kali galopon, ajo kënaqet".
Pas kësaj akuze të re, statuja që përfaqësonte Depardieu përgjatë rrugës së vizitës në Musée Grévin, muzeu historik i dyllit në Paris, u hoq. Pas një akuze tjetër kundër Gerard Depardieu, në fund të dhjetorit 2023, bota e kulturës franceze doli në mbrojtje të tij . Në fakt, mbi 50 artistë nënshkruan një letër të hapur, të botuar në ditën e Krishtlindjeve në gazetën Le Figaro, në mbrojtje të aktorit, i cili përballet me më shumë se një duzinë akuzash për përdhunim dhe dhunë seksuale dhe denonconte “linçimin”. Mes nënshkruesve janë këngëtarja franceze dhe ish-zonja e parë Carla Bruni-Sarkozy dhe aktorja angleze Charlotte Rampling së bashku me Carole Bouquet./ZËRI