ANGLI- Si pasojë e një sëmundje të rrëndë tumorale, është shuar në moshën 75-vjecare legjenda e futbollit anglez Kevin Keegan.
Ish-futbollisti i njohur ndërroi jetë pasi humbi betejën me kancerin, sëmundje me të cilën po luftonte prej muajsh, siç kishte bërë të ditur familja e tij në fillim të këtij viti.
Lajmi është konfirmuar nga familja e Kevin Keegan përmes një deklarate zyrtare.
“Me hidhërim të thellë njoftojmë se Kevin Keegan na la sot, në moshën 75-vjeçare. Ish-futbollisti dhe trajneri i kombëtares angleze po luftonte me kancerin dhe ishte i rrethuar nga bashkëshortja dhe vajzat e tij në momentet e fundit. Kevin, fitues i dyfishtë i Topit të Artë, ishte një burrë, baba dhe gjysh shumë i dashur. Familja falënderon stafin mjekësor për mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme.” thuhet në deklaratën e familjes.
I lindur në vitin 1951, Keegan konsiderohet një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e Anglisë. Ai shkëlqeu me Liverpoolin në periudhën 1971-1977, duke qenë një nga figurat kyçe të skuadrës. Me “The Reds” fitoi Kupën e Kampionëve të Evropës në vitin 1977, si dhe Kupën UEFA në vitet 1973 dhe 1976.
Në nivel ndërkombëtar, Keegan zhvilloi 63 ndeshje me Kombëtaren e Anglisë, duke realizuar 21 gola. Ai përfaqësoi “Tre Luanët” edhe në Kupën e Botës 1982, ndërsa më vonë, nga viti 1999 deri në vitin 2000, shërbeu si trajner i kombëtares angleze.
Pas aventurës me Liverpoolin, Keegan vazhdoi karrierën te Hamburgu, me të cilin arriti deri në finalen e Kupës së Kampionëve në vitin 1980.
Karriera e tij u kurorëzua edhe me dy nga çmimet më prestigjioze individuale në futboll, pasi fitoi Topin e Artë në vitet 1978 dhe 1979, duke u bërë një nga ikonat më të mëdha të futbollit evropian.
Me ndarjen e tij nga jeta, futbolli humbet një prej personaliteteve më të shquara të historisë së sportit./ZËRI