Qytetërim

Franck Ribery trondit: Infeksioni po më hante mishin, për pak humba këmbën!

Ish-ylli i Bayern Munichut dhe Francës thyen heshtjen dhe flet për L'Equipe për karrierën e tij dhe dëmtimin e rëndë që për pak i kushtoi këmbën.

k.m.
Franck Ribery trondit: Infeksioni po më hante mishin, për pak humba
Franck Ribery

PARIS- Franck Ribery, një nga futbollistët më të mëdhenj francezë të gjeneratës së tij, theu heshtjen dhe dha një intervistë për "L'Equipe". Dy vjet pas tërheqjes së tij nga fusha e blertë, ish-ylli i Bayern Munichut dhe Francës foli për karrierën e tij, dëmtimin e rëndë që për pak i kushtoi këmbën, marrëdhënien me Zinedine Zidane dhe hidhërimin për humbjen e Topit të Artë të vitit 2013, që ai beson se i ishte “vjedhur”.

Ribery, i cili vari këpucët në 2023 ndërsa luante për Salernitana, u kthye në Mynih, qyteti që ai e quan shtëpi.
Atje ai kaloi 12 vite të lavdishme me Bayernin, duke fituar 23 tituj.

"Që nga dita e parë, dhashë gjithçka. Kam sjellë mentalitetin tim, të jem i bashkuar, të krijoj lidhje në skuadër, në klub dhe në dhomat e zhveshjes. Me lojtarët, stafin, trajnerët, menaxhmentin. Edhe me tifozët. Në Bayern isha më shumë se një lojtar,"-tha ai. Ai iu referua edhe marrëdhënies së tij të ngushtë me Arjen Robben.

Fundi i karrierës së tij erdhi më shpejt nga sa e priste, për shkak të problemeve me gjurin.

"Unë nuk isha duke u stërvitur më, thjesht po mbaja veten. Analizat treguan se nuk kisha kërc. Më operuan në Austri, por pesë muaj më vonë erdhi infeksioni,”- tha ai.

Por situata u bë edhe më dramatike: Infeksioni po më hante, kisha vrima në të gjithë këmbën pasi isha infektuar me stafilokok. Qëndrova në spital për 12 ditë. Kisha shumë frikë. Ishin afër të më prisnin këmbën.

Ribery nuk e harron atdheun e tij.

“Në Gjermani ndihem si në shtëpinë time. Në Itali përjetova pasionin që dua për futbollin. Kudo që shkoj, njerëzit më mirëpresin me krenari. Por kujdes, unë e dua Francën, është vendi im. Sigurisht, ka pasur situata të vështira. Unë bëra disa budallallëqe, e di. Por kush nuk e bëri? Kishte edhe padrejtësi. Shumica e kritikave që kam marrë kanë ardhur nga njerëz që nuk e njohin futbollin nga brenda. Por, futbollistët më kanë respektuar gjithmonë. Kam kaluar nëpër stuhi të mëdha, por gjithmonë kam qëndruar.”

Kur biseda u kthye te Zinedine Zidane, Ribery shkëlqeu.

"Ai është si një vëlla i madh. E pashë vitin e kaluar në Marsejë. Ai është shembull me thjeshtësinë dhe respektin e tij. Ai është ideal për kombëtaren. Zizou është imazhi më i bukur i Francës,”- tha ai, duke shprehur shpresën për të parë Zidane si trajnerin “Les Bleus”.

Së fundi, Ribery nuk e fshehu zhgënjimin e tij për Topin e Artë të vitit 2013, kur përfundoi pas Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit, pavarësisht se fitoi tre-kupëshin me Bayernin.

“Nuk do ta kuptoj kurrë pse afati i votimit u zgjat më shumë se dy javë, ndërsa unë isha në krye,”-u ankua ai./ZËRI

Poll

MOS HUMB