
TIRANË- Nëse fëmija juaj bullizohet, kjo shkakton një ndjenjë zemërimi por dhe pafuqie. Çfarë duhet të bëni ju si prindër nëse fëmija juaj tallet dhe ngacmohet vazhdimisht në shkollë apo në grupe të ndryshme shoqërore? Si mund ta mbështesni fëmijën tuaj, zbuloni se të vepruarit me maturim është shumë e rëndësishme sidomos kur bëhet fjalë për Bullizimin. Bullizimi ka shumë aspekte dhe mund të prekë gati çdo fëmijë në nje fazë të caktuar të jetës së tyre shoqërore. E vështirë situata nuk është vetëm për fëmijën që po bullizohet, por edhe për ata që janë pranë fëmijës, si psh prindërit. Situata kërkon zgjidhje urgjente pa u rënduar së tepërmi.
Ngacmimi ndodh më shpesh në një mjedis nga i cili një fëmijë nuk mund të shpëtojë lehtë, për shembull në shkollë ose në një grup shoqëror të caktuar, kurs baleti, futbolli etj. Ngacmimi pra bulizimi rritet përmes heshtjes. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të merrni ndihmë herët dhe të thyeni dinamikën e fenomenti që më pas mund të marrë përmasa më të mëdha.
Konflikt apo Bullizim?
Por mos harroni, jo të gjitha veprimet e këqija mund të klasifikohen si bullizim. Prandaj është e rëndësishme që së pari të dallohet nëse një incident është bullizëm apo konflikt. Një konflikt ka të bëjë me një debat për diçka, një ndryshim mendimi.
Bullizimi ndodh kur plotësohen tre kushtet e mëposhtme:
Veprimet ose sulmet e këqija ndodhin në mënyrë të përsëritur.
Ngjarjet zhvillohen në një periudhë të gjatë kohore.
I njëjti person gjithmonë poshtërohet ose përjashtohet sistematikisht.
Proceset e përfshira në bullizëm mund të jenë të ndryshme. Shpesh njerëzit shahen, përjashtohen, kërcënohen, ekspozohen, rrihen ose u hiqen ose thyhen gjërat. Bullizimi mund të ndodhë në mënyrë të rrjedhshme. Një konflikti vazhdueshëm mund të kthehet në bullizim.
Shenjat e bullizmit
Njohja e bullizmit nuk është e lehtë. Fëmijët e manifestojnë atë shpesh në mënyra të ndryshme.
- Fëmija është shpesh i trishtuar, i shqetësuar ose i lodhur dhe duket i pagjumë.
- Fëmija mbyllet dhe tërhiqet gjithnjë në vetmi si në shtëpi shtëpi ashtu dhe në shkollë.
- Ai nuk dëshiron më të shkojë në shkollë apo stërvitje.
- Fëmija shpreh ankesa fizike si dhimbje barku apo dhimbje koke dhe mund të ketë edhe mavijosje.
- Ai nuk ka oreks.
- Fëmija përdor media dixhitale shumë më shpesh se më arë dhe nuk tërhiqen nga realiteti.
- Fëmija shpreh mendime vetëvrasëse.
Këto dhe shenja të tjera mund të tregojnë se fëmija juaj po bullizohet. Megjithatë jo gjithmonë kjo mbetet për tu vëzhguar pasi ndryshimet mund të kenë edhe shkaqe të tjera. Ato mund të jenë dhe rezultat i pubertetit, konsumit të tepërt të medias ose ankthit të provimit.
Nëse dyshoni për bullizim, provoni të flisni
Nëse ju si prindër dyshoni se fëmija juaj po bullizohet, atëherë flisni me të, por kujdes. Shmangni pyetje të tipit, "Po të bullizojnë?“
Fëmija mund të kapet në befasi nga kjo pyetje dhe mund të mbyllet dhe më tepër në bashkëbisedimin me ju. Ndaj luani pak me fjalitë që do përdorni.
"Ej më duket se nuk po flasim më fare rreth shkollës, si duket situata?”, ose fjali “seç kam një ndjenjë që dicka nuk po shkon mirë”. Janë fjali të thjeshta që nuk do e trembin fëmijën dhe nuk do të ndihet aq vetëm.
Shumë fëmijë të bullizuar nuk flasin për bullizimin. Arsyet e heshtjes së tyre ndryshojnë. Ndoshta kanë frikë se situata do të përkeqësohet. Ose kanë frikë nga ndëshkimi. Ndonjëherë ata vetë nuk e kuptojnë se janë duke u bullizuar. Ata e klasifikojnë talljen apo ngacmimin e përsëritur si "argëtim" ose diçka "normale". Ose ndoshta ata kanë turp ose nuk duan të shqetësojnë prindërit e tyre dhe për këtë arsye fshehin situatën e tyre.
Në asnjë rrethanë prindërit nuk duhet të veprojnë vetëm dhe të përballen drejtpërdrejt me personin ngacmues ose prindërit e bullizuesit.
Prindërit mund t'i tregojnë gjithmone fëmijës së tyre se ata janë atje dhe duan të ndihmojnë. Ata duhet gjithashtu ti sigurojnë se nuk e fajësojnë fëmijën dhe se fëmija nuk duhet të ketë frikë nga ndonjë ndëshkim prej tyre. Nëse fëmija hapet dhe tregon se çfarë po ndodh, ai ose ajo ka nevojë për siguri, mbështetje dhe ndjenjën e të dëgjuarit dhe të merret seriozisht.
Çfarë mund të bëjnë prindërit për bullizmin?
Nëse fëmija juaj ngacmohet, është një situatë shumë e vështirë për prindërit. Ju keni impulsin për të mbrojtur fëmijën tuaj dhe për të marrë masa menjëherë. Kjo është e kuptueshme. Por nuk është e dobishme për fëmijën nëse prindërit veprojnë me nxitim. Në asnjë rrethanë prindërit nuk duhet të veprojnë vetëm dhe të përballen drejtpërdrejt me personin bullizues ose prindërit e tyre. Prindërit e fëmijës ngacmues shpesh reagojnë në mënyrë mbrojtëse dhe situata përkeqësohet. Për shkak se fëmija bullizues do të zemërohet dhe më shumë dhe do e bullizojë edhe më shumë fëmijën tuaj.
Është më mirë që një i përson ndërmjetësues të shoqërojë gjithë këtë situatë. Në varësi të mjedisit në të cilin ndodh bullizmi, ky mund të jetë, për shembull, trajneri i futbollit, apo drejtuesit e kurseve ku ndodh ngacmimi, në rast se jemi në shkollë atëherë mësuesja kujdestare ose punonjësi social i shkollës e madje dhe drejtori i këtij institucioni. Zgjidhjet mund të kërkohen së bashku, sidomos kur prindërit dhe shkolla komunikojnë me njëri-tjetrin, bullizmi identifikohet, ndalet dhe zgjidhet më mirë.
Bullizmi është shumë stresues për fëmijët dhe të rinjtë dhe mund të ketë pasoja të rënda për shëndetin e tyre mendor.
Ndëshkimet ndaj veprimeve bullizuese
Disa akte ngacmimi janë krime ligjore. Këtu përfshihen kërcënimet dhe shantazhet. Për akte të tilla duhet të mblidhen prova. Ju mund të shkruani se kush bëri çfarë, kur dhe kush ishte dëshmitar. Nëse ngacmimi ndodh nëpërmjet mediave dixhitale, mund të ruani historitë e bisedave ose të bëni foto të veprimeve të paligjshme që ju dërgohen online. Të gjitha provat e mbledhura i ndihmojnë specialistët përkatës ose policinë të vlerësojnë situatën dhe të ndërmarrin veprime nëse është e nevojshme.
Pyetjes nëse duhet të kontaktoni policinë ose të bëni një denoncim nuk mund të përgjigjet në përgjithësi. Është e rëndësishme të merret parasysh që policia duhet të reagojë në varësi të krimit. Zakonisht është më mirë të kontaktoni policinë vetëm nëse masat e tjera kanë qenë të pasuksesshm.
Këshilla për prindërit
- Flisni me fëmijët tuaj për mënyrën se si ata janë e ndihen në shkollë, me miqtë, në klube, etj. Fëmijët që e dinë se prindërit e tyre janë gjithmonë të interesuar se si po ecin, kanë më shumë gjasa të tregojnë nëse diçka nuk shkon.
- Jini vigjilentë dhe kushtojini vëmendje ndryshimeve dhe shenjave paralajmëruese.
- Flisni me fëmijën tuaj për Bullizimin paraprakisht dhe tregojini se si të reagojë.
- Jepni shembullin e bashkëjetesës jo të dhunshme, çiltërsisë dhe guximit moral dhe mbani një qëndrim të qartë kundër bullizmit.
- Inkurajoni fëmijën tuaj që të mbrojë të tjerët dhe të mos tolerojë sjellje të padrejta./ZËRI