
EUROPË- Një trend i ri në mesin e grave që punojnë ka filluar dhe po bëhet veçanërisht i popullarizuar, veçanërisht në vendet e Evropës Veriore. Në Suedi, për shembull, një vend që mbështet fuqimisht të drejtat e njeriut, shumë gra të reja po adoptojnë trendin që është bërë shumë i popullarizuar në mediat sociale dhe quhet "vajza e butë (soft girl)". Termi i atashohet vajzave që heqin dorë nga puna dhe qëndrojnë në shtëpi. Vilma Larsson, 25 vjeç, ka punuar më parë në një dyqan ushqimesh, një azil dhe një fabrikë. Ajo la punën një vit më parë për t'u bërë shtëpiake dhe thotë se nuk ka qenë kurrë më e lumtur.
"Jeta ime është më e qetë. Unë nuk luftoj më me gjithçka që më rrethon dhe nuk jam më e stresuar."
I dashuri i saj punon nga shtëpia dhe ndërsa ai i kalon ditët në laptop, ajo shkon në palestër, del për kafe ose gatuan. Çifti tani udhëton më shumë dhe dimrin e kalojnë në Qipro.
"Çdo muaj ai më jep një rrogë nga paratë që fiton. Nëse kam nevojë për më shumë, ia kwrkoj. Ose nwse nuk i prish tw gjitha paratw, e kursej pjeswn tjetwr,"-shpjegon ajo pwr "BBC". Tani, ajo ndan stilin e saj të ri të jetesës në rrjetet sociale, ku ka grumbulluar 11,000 ndjekës. Disa nga postimet e saj kanë gati 400,000 klikime, megjithëse ajo thotë se nuk fiton tw ardhura prej tyre. Stili i jetesës së "vajzës së butë" ka qenë një mikro-trend në rrjetet sociale në vende të ndryshme të botës që nga fundi i viteve 2010. Por në Suedi, popullariteti qw ka gjetur koncepti ka shkaktuar habi dhe ndarje.
"Ungdomsbarometern", sondazhi më i madh vjetor i të rinjve në Suedi, ka treguar tendencën e suedezëve drejt stilit të jetesës së vajzave të buta. Të rinjtë, kryesisht nga mosha 15 deri në 24 vjeç, janë pro, ku 14% e nxënëseve të moshës 7 deri në 14 vjeç e identifikojnë veten si "vajza të buta".
“Ka të bëjë me largimin nga ideali i 'vajzës bosse' që e kemi parë prej shumë vitesh. Ende nuk ka shifra zyrtare për numrin e të rinjve që braktisin plotësisht punën e tyre dhe jetojnë duke u mbajtur nga partnerët e tyre, por kjo është ende një përqindje relativisht e vogël,"-shpjegoi për BBC Johanna Göransson, një studiuese në Ungdomsbarometern.
Megjithatë, çështja ka shkaktuar reagime në vend, në të cilat janë përfshirë edhe politikanë. Gudrun Schyman – bashkëthemeluese dhe ish-kryetare e partisë feministe të Suedisë "Feministiskt" – beson se gratë që jetojnë nga të ardhurat e partnerëve të tyre është “shumë e rrezikshme” dhe shënon “një hap pas” për barazinë gjinore.
Schyman argumenton se të rinjtë suedezë janë ndikuar nga qeveria e koalicionit të krahut të djathtë të vendit, e cila punon me partinë nacionaliste Demokratët e Suedisë, si dhe nga "rritja më e gjerë" e populizmit në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.
“Gratë e reja sot nuk e njohin historinë dhe betejat që gratë kanë luftuar për të drejtat e tyre. Liritë si e drejta për të punuar, e drejta për pagë dhe e drejta për pavarësi financiare sot merren si të mirëqena, por ka pasur shumë përpjekje për të arritur deri në këtë pikë”.
Në anën tjetër të spektrit politik, Partia Demokratike Suedeze ishte pozitive ndaj trendit.
"Unë besoj se njerëzit duhet të vendosin vetë për jetën e tyre. Dhe nëse keni mundësi financiare për t'u bwrw pjesw e kwtij trendi, atëherë bravo. Ne jetojmë në një vend që ju jep çdo mundësi për të ndërtuar një karrierë. Por kemi edhe lirinw e zgjedhjes. Kemi të drejtë të zgjedhim të jetojmë më tradicionalisht,”- thotë Denice Westerberg, zëdhënësja e të rinjve të partisë.
Përveç debateve ideologjike, reagimet fokusohen gjithashtu në faktorët socialë dhe kulturorë që mund të prekin gratë e reja nëse heqin dorë nga puna – ose të paktën ndjekin një mënyrë jetese më të qetë. Suedia ka një reputacion për perfeksionimin e balancës "punë-jetë" – shumica e punëtorëve marrin 6 javë pushime në vit dhe më pak se 1% punojnë më shumë se 50 orë në javë. Megjithatë, sondazhi i Ungdomsbaromatern sugjeron një rritje të niveleve të stresit tek të rinjtë dhe Göransson beson se tendenca e "soft girls" mund të jetë një zgjatje e tendencave të fundit globale të punësimit./ZËRI