Qytetërim

Evropa ka Evropianin e vet, ne kemi tonin

Pasi vërejti suksesin e ndeshjes, Çuçi në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar prezantoi idenë e tij.

Redaksia Zëri

Evropa ka Evropianin e vet, ne kemi tonin

TIRANË- 15 qershori shënon çeljen e një prej sezoneve më të rëndësishme për futbolldashësit në mbarë globin: Euro2024! Por para se të gjithë vëmendjen ta marrë Kombëtarja Shqiptare e Futbollit dhe të tjerët, në Shqipëri është shënuar një përballje “titanësh”; Policia vs. gazetarët.

Ndeshja “miqësore” është zhvilluar ditën e djeshme në një prej kalçetove të Tiranës, por kjo nuk do të thotë që nuk ishte marrë seriozisht.

Ndeshja u hap me himnin e flamurit dhe me një vajzë të vogël që lëshoi një pëllumb në shenjë paqeje. Gazetarët kishin marrë në ekip talentet që kanë shkëlqyer më shumë këtë sezon me raportimet e tyre në botën e errët të krimit, por edhe Policia nuk mbetej pas.

Me në krye ministrin e Brendshëm, Taulant Ballën, ekipi siguroi një fitore të pastër, por jo të thjeshtë me rezultat 3-1.

Ndoshta kjo pasi në ekip kishin një ish-gardist, si Denis Deliun apo Xhodën, një polic me kohë të pjesshme që mesa duket kostumin e rolit e vesh hera-herës edhe në jetë.

Megjithatë pavarësisht emrave “BIG” që ishin më të shumtë nga radhët e Policisë së Shtetit, një parim u ruajt nga të dyja palët: dhe ajo është “fair play”! Për shembull, kjo fitore mund të ishte më e thellë nëse fjala bie, Balla zgjidhte të mbushte ekipin e tij me pjesëtarë të forcave RENEA. Por sloganin “Futbolli bashkon zemrat”, socialistët duket se duan që ta zgjasin edhe më tej këtë iniciativë të sapomarrë.

Pasi vërejti suksesin e ndeshjes, Çuçi në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar prezantoi idenë e tij.
“Do bëjmë ndeshje futbolli me homologët nga Kosova, në ekip do marrim edhe deputetë të opozitës,”-tha ai, por nuk la një datë fikse për takimin që më shumë se miqësor do të jetë vëllazëror.

Me këto ritme, Partia Socialiste mund të kërkojë ndonjë ndeshje dhe me opozitën në Shqipëri…që vetëm një fund e ka të sigurtë: nëse humb opozita, kontestohet rezultati!/ZËRI

Poll

MOS HUMB