![Europiani i dytë për Ajetin: Na presin 3 finale të vështira,](https://cdnimpuls.com/zeri.ai/media3/-900-0-1718108827xajeti-112.jpg)
GJERMANI- Do të jetë Europiani i dytë për të. Dikur vinte si i ri, por sot në prapavijë është një nga më të “vjetrit”. Arlind Ajeti në Europianin e 2016-ës në Francë shkëlqeu me paraqitjet e tij. Por çfarë pret ai nga ky i sivjetshmi që do vetëm 3 ditë të nisë në Gjermani?
“Është diçka e veçantë. Të shohim, të nxjerrim maksimumin. Kemi 3 finale mund të themi se çdo ndeshje është diçka speciale për ne. Do jetë vështirë, por gjithmonë shpresojmë të bëjmë diçka speciale, por të shohim si del”, tha Ajeti. Mbrojtësi tha se mbështet çdo lojtar kuqezi në çdo mënyrë.
“Ne mundohemi të mbështesim çdo lojtar që ndoshta me moshë është pak më i ri. Mundohemi që jashtë fushe, ose në fushë, me mbështet në çdo mënyrë”, u shpreh Ajeti.
Si ndihesh që je grumbulluar për të dytën herë në Europian? “Shumë mirë, besoj se çdo lojtar që është grumbulluar ndjehet mirë është diçka speciale.”
Çfarë do bësh ndryshe në këtë Europian dhe a do kesh më shumë minuta në dispozicion? “Nuk e di çfarë do bëj ndryshe, unë mundohem gjithmonë të jem pranë ekipit. A do luajë apo jo e vendos trajneri, unë do e mbështes Kombëtaren si në fushë ashtu edhe jashtë saj. “
Gjatë sezonit kem pasur dëmtime, a je 100% gati? “Po, dëmtimet janë pjesë e futbollit. Unë besoj se jam përgatitur mirë dhe miqësoret kanë qenë të rëndësishme për mua dhe besoj se jam gati.”
A shpresoni që do keni rezultat pozitiv? “Shpresat janë që për çdo ndeshje të jemi mirë, në futboll mund të ndodhë gjithçka. Ne do të japim maksimumin dhe si në ndeshjen e parë dhe të fundit ne do të japim maksimumin.”
Si kanë rezultuar analizat e kundërshtarëve, cilit i duhet kushtuar më shumë vëmendje? “E kemi analizuar të gjithë ekipin e italianëve, në ditët e ardhshme sot e nesër do t’i shohim edhe specifikisht sulmuesit.”
Sulmuesi më i rrezikshëm i Italisë? “Çdo sulmues duhet parë me kujdes, pasi kanë lojtarë me cilësi të lartë. Besoj se Scamaça për momentin është shumë i rrezikshëm, por duhet parë çdo lojtar.”
Italia kampionia në fuqi, si e përjetoni që do ndesheni me të në takimin e parë? “Europiani është gjithmonë i veçantë dhe besoj se çdo lojtar e ka ëndërr që të jetë njëherë pjesë e Europianit. Është diçka shumë e veçantë, duhet të japim maksimumin.”
Besoni për ecuri pozitive? “Ne i besojmë vetes, ekipit dhe çdo lojtari që është i grumbulluar, ne do japim maksimumin, pastaj do të shohim.”
Grupi i ferrit: “Kemi tre finale, çdo ndeshje është speciale për ne. Do jetë e vështirë dhe shpresojmë të bëjmë diçka të veçantë”.
A është kjo skuadër më e fortë se ajo e 2016? “Nuk di të them nëse skuadra është më e fortë, por kemi shumë cilësi dhe shumë lojtarë vijnë nga ekipe të mëdha. Kualiteti duket në ekip, pasi kemi lojtarë shumë në formë.”
Këshilla lojtarëve që janë për herë të parë në Europian: “Është e veçantë edhe për ne edhe pse është hera e dytë. Do të jetë sërish e veçantë, pasi nuk përshkruhet me fjalë. Emocionet janë të ndryshme, ndonëse është e dyta herë. Ne mundohemi të mbështetim çdo lojtar edhe më të ri.”
I keni bërë llogaritë këtë edicion, si i mendoni? “Llogaritë nuk i kemi bërë, ne do të shohim ndeshje pas ndeshje. Kemi të parën me Italinë dhe më pas do të shohim më tutje.
A keni presion për rezultate pozitive pas përkrahjes së shumë tifozëve që gjetët në Gjermani? “Presioni është normal në futboll si në ekipe ashtu edhe në Kombëtare, por në Kombëtare ndihesh më krenar kur shikon në ndeshje dhe në stërvitje si na pritën tifozët. Besoj se janë një motiv më shumë për këtë Europian.”
Më cilin prej lojtarëve ke raport më të mirë? “Me të gjithë kemi raport shumë të mirë dhe besoj se ajo gjë na ka ndihmuar edhe në kualifikuese. Secili mundohet që të ndihmoj njëri-tjetrin. Me të gjithë kam marrëdhënie të mirë edhe pse duhet ta them që me Beratin kam më shumë kohë që luajmë në Kombëtare, por me të gjithë kemi raport të mirë.”
Cila skuadër të jep më shumë siguri ajo e 2016 apo kjo sot? “Në 2016 isha mes më të rinjve, por kisha mbështetjen e Canës, teksa tani jam unë me më shumë eksperiencë, por ka të rinj të talentuar. Nuk di t’i ndaj.”