Qytetërim

Engjëll apo Djall/ Kush ishte Alain Delon? Traumat e fëmijërisë dhe marrëdhëniet me gratë dhe fëmijët e tij

Në vetëm pak vite ai arriti të bëhej njeriu më i dëshirueshëm në botë dhe dukej se kjo po i pëlqente.

I.F
Engjëll apo Djall/ Kush ishte Alain Delon? Traumat e
Alaine Delon

PARIS- Dukej sikur ishte jo real, i bukur por edhe i errët, erotik por edhe cinik, engjëll por edhe djall… Këto ishin dy aspektet diametralisht të kundërta të fytyrës të Alain Delon, që u nda nga jeta, në moshën 88-vjeçare, duke i dhënë fund një epoke të tërë që ai e krijoi.

Kjo natyrë e tij kontradiktore, e cila mbeti e pandryshuar gjatë gjithë jetës së tij të gjatë dhe ndikoi në të gjitha marrëdhëniet e tij personale, ishte produkt i një plage të madhe, të thellë dhe të përjetshme, ajo e gdhendur në shpirtin e fëmijërisë së tij nga braktisja e prindërve. Ai ishte vetëm 4 vjeç kur prindërit e tij e dhanë për adoptim në një familje tjetër dhe më pas vazhduan jetën e tyre sikur ai të mos ekzistonte.  

“Që herët e kuptova se çfarë ishte ndarja, braktisja dhe vetmia... Si mund të ndjehesh kur e di që prindërit e tu të braktisën kur ishte vetëm 4 vjeç? Unë nuk isha prioriteti i tyre. Isha 4 vjeç dhe më nxorën jashtë... Prindërit nuk i kam parë kurrë bashkë. Babai im nga njëra anë, nëna ime nga ana tjetër. Të gjithë në një bregdet dhe unë në një ishull në mes...”, rrëfeu ai në një intervistë që dha në vitin 2018, për “Paris Match”.

Kështu, disi, ai u shndërrua në një fëmijë të tmerrshëm dhe thellësisht të pakënaqur, i cili bëri gjithçka që mundi për të tërhequr vëmendjen. Ai grindej me të tjerët, ishte një student i keq, u përjashtua vazhdimisht nga shkollat ​​që ndoqi, iku nga shtëpia dhe madje u regjistrua në marinë vetëm në moshën 17-vjeçare. Pasi prindërit e tij birësues ndërruan jetë, kujdestaria e tij iu kthye atyre biologjikë, të cilët kishin krijuar tashmë familje të reja dhe nuk kishin më vend në jetën e tyre për këtë egërsirë që kishin krijuar vetë.

Ai ishte një njeri i egër që u shndërrua në një hero tragjik dhe që gjatë gjithë jetës së tij vazhdonte të kërkonte me dëshpërim pranimin dhe dashurinë që iu mohua si fëmijë në çdo mënyrë që mundi. Duke joshur gratë me bukurinë e tij që i përkiste një “bote tjetër” ose duke luajtur heronjtë e errët dhe të padisiplinuar, por në të njëjtën kohë të butë të filmave të Visconti, Antonioni dhe regjisorë të tjerë të rëndësishëm. Në vetëm pak vite ai arriti të bëhej njeriu më i dëshirueshëm në botë dhe dukej se kjo po i pëlqente.

“Dua të më duan aq sa e dua veten time”, deklaroi ai me shumë egocentrizëm dhe arrogancë të thellë duke zbuluar, në të njëjtën kohë, edhe në këtë mënyrë cinike, plagën e tij të madhe e të pashërueshme. Një plagë që asnjë sukses, asnjë dashuri, asnjë lidhje, asnjë grua nuk arriti ta shëronte, megjithëse të shumtë ishin ata që u përpoqën me të gjitha forcat.

Engjëll apo Djall/ Kush ishte Alain Delon? Traumat e
Alaine Delon dhe Romy Schneider

E dashura e parë ishte Romy Schneider, me të cilën ai jetoi një lidhje të gjatë dashurie, e cila zgjati pesë vjet, nga viti 1959 deri në 1963, dhe megjithëse e la atë, duke i shkruar asaj një letër në të cilën rrëfente se po largohej me një grua tjetër, me të cilën u martua, Nathalie.

Engjëll apo Djall/ Kush ishte Alain Delon? Traumat e
Alaine dhe Nathalie Delon

Sërish ata të dy kishin një lidhje të ngushtë dhe vendin e Schenider askush nuk mundi ta zëvendësonte. Kur ajo ndërroi jetë në një moshë të re në moshën 43-vjeçare, Delon ishte pranë saj, aty ai e kuptoi se ajo ishte dashuria më e madhe e jetës së tij. Letra tronditëse e dashurisë që i shkroi asaj, atë natë tragjike, i thotë të gjitha:

“Të shoh duke fjetur. Unë jam me ty, pranë shtratit tënd. Ti ke veshur një fustan të zi të gjatë me një qëndisje të kuqe në bust. Këto janë lule, mendoj, por nuk po i shikoj. Unë po të them lamtumirë, lamtumira më e madhe, Puppelé ime. Kështu të kam thirrur. Në gjermanisht do të thotë "kukull e vogël". Unë nuk i shikoj lulet, por fytyrën tënde dhe mendoj se je e bukur dhe ndoshta nuk ke qenë kurrë kaq e bukur. Gjithashtu mendoj se kjo është hera e parë në jetën time, dhe tënden, që të shoh të qetë dhe të lehtësuar. Je kaq e heshtur, je kaq e bukur, sa e bukur je. Sikur një dorë të fshiu butësisht nga fytyra të gjitha tensionet, të gjitha ankthet e fatkeqësisë. Të shikoj duke fjetur. Më thonë se ke vdekur. Unë po mendoj për ty, për mua, për ne... Ti erdhe nga Vjena dhe unë të prisja në Paris, me një buqetë me lule që nuk dija si t'i mbaja... Dhe pastaj u dashurova marrëzisht me ty. Dhe ti re në dashuri me mua gjithashtu. Zot! Ishim të rinj, ishim të lumtur... Pastaj jeta... jeta jonë, që nuk është punë e askujt, na ndau... "Puppelé" ime, të shikoj përsëri dhe përsëri. Dua të të gllabëroj me sytë e mi dhe të të them pa pushim se nuk ke qenë kurrë kaq e bukur dhe e qetë. Pusho pak. Unë jam këtu. Më ke mësuar pak gjermanisht dhe mund të të them se të dua, të dua, të dua… Unë të dua Puppelé ime”, shkroi ai në letren e tij të lamtumirës.

Por as dhimbja e kësaj humbjeje të madhe nuk mundi ta ndryshonte. Ai vazhdoi të dashurohej marrëzisht dhe pas disa vitesh të kërkonte një flakë të re, një pasion të ri për të mbushur boshllëkun e brendshëm të pamasë që kishte lënë tek ai mungesa e dashurisë prindërore.

“Ka boshllëqe që nuk do të plotësohen kurrë. Dhe edhe kur kam jetuar me një grua, kur kam dashur një grua, jam ndjerë vetëm. Gjithmonë jam ndjerë kështu. Kjo vetmi që kam mbajtur gjithmonë me vete daton patjetër që në fëmijërinë time. Isha vetëm 4 vjeç kur kuptova se ata që do më shumë mund të largohen nga ty”, rrëfeu ai në një nga intervistat e tij të fundit.

Fatkeqësisht, këto boshllëqe emocionale nuk arritën t’i mbushnin as fëmijët e tij, Anthony, Alain-Fabien dhe Anouska, të cilët i kishte me partneren e tij prej 15 vitesh, modelen nga Holanda Rosalie Van Bremen, si dhe Ari Boulon, fryt i dashurisë së tij, që lindi nga lidhja me këngëtaren dhe aktoren gjermane Nico, të cilën ai nuk e njohu kurrë. Ajo lindi në vitin 1962 dhe vdiq në vitin 2023, në moshën 60-vjeçare. Sidomos me dy djemtë e tyre, marrëdhënia e tij ka qenë gjithmonë shpërthyese, me tensione të vazhdueshme dhe periudha të gjata largimi: “Nuk jam i sigurt se kam qenë një baba i mirë për ta, as një gjysh i mirë për nipërit e mbesat e mia. Isha gati? Nuk e besoj...”, pranoi ai vetë.

Në fund të fundit, si mund t'u ofronte fëmijëve të tij dashurinë e thellë, të palëkundur dhe të panegociueshme që nuk e njihte kurrë? Ai arriti të fitonte vëmendjen e prindërve të tij, por jo dashurinë e tyre, për të cilën kishte aq shumë nevojë: “Të dy u afruan më shumë me mua kur u bëra i famshëm. Papritur u kujtuan se kishin një djalë. Nëna ime filloi ta quante veten Madame Delon edhe pse mbiemri i saj ishte Boulogne. Ajo ishte bërë një fanse dhe jo më nëna ime. Ndërsa babai im ishte më i pranishëm në jetën time deri sa ndërroi jetë. Por e gjithë kjo nuk kompenson atë që nuk kam pasur si fëmijë, atë që nuk më është dhënë, dashurinë e prindërve të mi”, tha ai.

Por ishin pikërisht këto tragjedi që e bënë atë të ishte edhe më shumë i dëshirueshëm nga shumë gra, të cilat shpresonin se njëra prej tyre do të mbushte boshllëqet e tij… /ZËRI

Poll

MOS HUMB