
VLORË- Këngëtarja Elvana Gjata ka qenë e pranishme dje në koncertin për Pavarësinë në Vlorë, si e ftuara speciale e Bashkisë. E veshur me ngjyrat kuqezi, pothuajse e gjithë performanca e këngëtares është publikuar në profiling e kryebashkiakut të Vlorës Ermal Dredha, ndërkohë që në skenë janë ngjitur më herët edhe disa këngëtarë të tjerë të muzikës shqiptare.
Edhe pse nën hetim nga SPAK, Elvana Gjata mbetet një prej këngëtareve më të preferuar dhe për politikanët shqiptarë, të cilët kanë zgjedhur që të urojnë Pavarësinë dhe Clirimin me muzikën e saj. Pas Vlorës, Elvana Gjata do të jetë e pranishme dhe në Tiranë, në koncertin e organizuar nga Bashkia për Natën e Bardhë.
Stafi i Bashkisë së Vlorës ka marrë të gjitha masat për sigurinë e këngëtares, teksa shihet duke hyrë në skenë e shoqëruar dhe nga një punonjës policie.
Prej ditësh emri i këngëtares ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave, pas përmendjes së saj në dosjen e SPAK, për të fejuarin e saj Ervin Mata, i cili dyshohet se trafikonte sasi të mëdha kokaine nga vendet e Amerikës Latine për në Europë. Vetë këngëtarja po hetohet nga SPAK, qoftë për dijeninë e saj për aktivitetin kriminal, qoftë për pasurinë e saj, nëse ajo shërbente për të pastruar paratë e kokainës.
/ZËRI